Që kur u mor vendimi për të rihapur shkollat, e gjithë vëmendja është fokusuar në kthimin e tyre në ambiente të sigurta për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre.

Edhe pse pritshmëritë e qeveritarëve, të shprehura nëpër deklarata, janë për rritje të pashmangshme të infektimeve me “hapjen e madhe” më 14 shtator, qëllimi final është të shmangen shifrat katastrofike.

Këto ditë, më shumë se kurrë, nxënës, mësues e prindër po përballen me një bum informacionesh për t’iu përshtatur të ashtuquajturit “normalitet i ri”.

Ministritë përgjegjëse kanë hartuar disa paketa udhëzimesh që kanë nisur të afishohen në shkolla dhe që përmbajnë hap pas hapi çdo veprim që duhet të bëjnë apo të mos bëjnë fëmijët, të cilët shihen si vektor transmetimi nga shkolla në shtëpi.

SHKOLLË E SIGURT

Instituti i Shëndetit Publik ka hartuar një paketë masash për nxënësit për aq kohë sa nxënësit do të qëndrojnë në mjediset e mbyllura të shkollës.

Mbajtja e maskës, larja e duarve, shmangia e kontaktit të afërt me nxënësit e tjerë janë tri porositë kryesore që jepen rëndom edhe në komunikimet e përditshme të Ministrisë së Shëndetësisë dhe vlejnë edhe për fëmijët.

Por në kushtet kur ka shkolla që nuk furnizohen 24/24 me ujë dhe qarkullimi në korridore është i kufizuar e madje me shoqërues, e vështirëson zbatimin.

Përveç tyre, ekspertët iu kujtojnë fëmijëve se nuk duhet të përdorin të njëjtat mjete pune me të tjerët.

E përveç maskës, me vete duhet të kenë edhe alkool për të pastruar rregullisht bankën ku do të ulen. Duhet të jetë nxënësi gjithashtu që të hapë shpesh dritaret, veçanërisht pasi ka arritur në shkollë (në cilindo turn qoftë), si dhe gjatë pushimit të shkurtër.

Nëse ata nuk ndihen mirë, duhet të adresohen te mësuesi.

“Nëse ndiheni të sëmurë, keni ethe, dhimbje fyti, kollë ose rrjedhje të hundëve, tregojini menjëherë mësuesit tuaj. Nëse shqetësimi juaj konfirmohet, mos u frikësoni, thjesht ndiqni udhëzimet e mësuesit”, citohet në udhëzimin që do të afishohet në çdo mjedis shkolle.

POROSITË PËR PRINDËRIT

Përveç drejtorëve e mësuesve që shpesh duhet të bëjnë rolin e “policit” për të mos lejuar devijimin nga protokolli i masave, edhe prindërit e fëmijëve ngarkohen me përgjegjësi ekstra.

Ministria e Arsimit ka bërë një video promocionale ku tregohet ekzaktësisht çfarë duhet të bëjë një prind shembullor në pesë ditë të javës. Meraku i prindërve nuk do të jenë më librat e fletoret me vete, por maska e dezinfektanti.

Te dera e shkollës prindi nënshkruan formularin ku deklaron se fëmija i tij nuk shfaq ndonjë shenjë të COVID, veprim që duhet ta bëjë çdo ditë.

“Kujdesi i shtuar gjatë kësaj periudhe nga ana e çdo prindi, vetëm shton mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve dhe siguron njëkohësisht mbarëvajtjen e një procesi të rregullt shkollor”, shkruan ministrja e Arsimit, Besa Shahini, krah videos së postuar në rrjete sociale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re