Nga Hoxhë Alban Gorishti

Disa prej të parëve tanë kanë thënë: Çudia nuk është me ata që dështuan: se si dështuan? Por Habia është me ata që shpëtuan sesi arritën të shpëtonin?
Këto ditë isha në një prej spitalet e kryqytetit dhe sytë më zunë 1 mjek të dilte me një makinë të kushtueshme, e kështu mendova me vete sa profesione sot janë rrezikuar nga paraja e lehtë,sa profesione sot kanë lënë prodhimtarinë e tyre akademike-shkencore për një makinë të bukur,të ardhura të shumta apo jetë lluksoze. Por a mundet një profesionist i çfarëdo fushe të jetë prodhimtar në fushën e vet nëse interesi i tij kryesor është të krijojë mundësi materiale më tepër sesa të prodhojë profesionalizëm akademik apo prodhimtari shkencore? A mundet një mjek apo inxhinier të jetë 100% efikas nëse interesi i tij kryesor është krijimi i mundësive për benefitim personal dhe jo formimi idesh,projektesh apo risi në fushën përkatëse profesionale? Ngjashëm ky koncept mundet ti mvishet edhe hoxhallarëve. Kështu lind natyrshëm një pyetje, a mundet një hoxhë të mbrojë kriteret e pastra fetare në momente të formimit të shpejtë të një materializmi individual ekstrem?A mundet hoxha,mjeku,inxhinieri etj të jetë parimor nëse noton në komoditetet e materializmit në kondita ku tashmë prodhimtarinë akademike e ka zvetnuar profesionalizmi i ngadaltë nën presionin e materializmit të shpejtë? Me çfarë kam parë në këtë panoramikë ka boll përjashtime por a qëndron diskutimi në të cilin mundet të flasim lirshëm për prodhimtari të vërtetë profesionale/akademike në këto kushte globalizimi shpirtëror?

Dihet mjaft mirë nga argumentet gjithpërfshirse se Islami është fe universale e cila nuk e ndryshon akademizmin por as etikën e vet për shkak të ndryshimit të kohëve dhe rethanave. Imam Shatibiu na tregon për lidhshmërinë e domosdoshme mes njohjes së fesë së vërtetë dhe qëndrueshmërisë së ligjeve të gjithësisë. Po të mos ishin ligjet e gjithësisë të qëndrueshme nuk do të ishte e mundshme njohja e fesë, e cila argumentohet me muxhize (mrekulli), që thyejnë ligjet e natyrës. Ndërsa mrekullia më e madhe e kësaj feje është akademizmi etik i moraleve Kuranore.Thotë Imam Shatibiu: Qëndrueshmëria e legjislacionit Islam ngrihet mbi pandryshueshmërinë e ligjeve të gjithësisë. Po të ishin njerëzit dhe gjithësia rreth tyre, në ndryshim të vazhdueshëm, nuk do të mundej që jeta të rregullohet me legjislacion konstant që nuk ndryshon. Mos ndryshimi i ligjeve të sheriatit me ndërrimin e kohës dhe vendit është argument për natyrën konstante të njerëzve dhe gjithësisë, për të cilët është zbritur kjo tërësi e ligjeve, edhe pse ka disa dallime që nuk ndikojnë… (Shih librin e tij “El Muvafekat” ne pjesën e librit me titull “Kitabul Mekasid”.)

Padyshim që duhet të ngremë nivelin e duhur të atyre që kërkojnë një profesion, pra ku ata që kërkojnë të bëhen mjek, inxhinier, hoxhallarë etj të kenë një nivel te caktuar familjar, kulturor dhe ndoshta edhe nje mirëqenie të caktuar kulturore në mënyrë që i tilli para se të angazhohej me praktikimin e mëpasshem të profesionit të ishte i aftë shpirtërisht të ndante midis lakmisë së re e cila është pasojë e rrethanave të një kohe të caktuar (tranzicioni pluralist psh) dhe asaj të natyrshme të cilën njeriu e mbart që në ambjentet e zanafillës familjare. Por gjithsesi një background i tillë nuk mundet te pasqyrohet me efaksitet të lartë tek çdo profesion, ne rastin e hoxhallarëve ky dimension (pra nëse vjen domosdoshmërisht nga një familje me mirëqenie ekonomike, sociale) mundet të mangësoje në performancën e vet si hoxhë, pasi ne realitet do të lihej mënjanë misioni ne favor të profesionit, kjo pozitë mbart një dimension të lartë shpirtëror ndaj për këtë është e domosdoshme që cilësia e kerkuar në këtë rast te vijë nëpërmjet privimit ekonomik, ndërsa niveli kulturor padyshim është një fenomen kaherë i kerkuar për të projektuar cilësinë e duhur në përpjekjet për tu ardhur në ndihmë shpirtave të ngarkuar nga peshat e një jete materiale të theksuar.E nëse profesionalizmi i vërtetë i këtij individi është më i lartë sesa mesatarja e shoqërisë atëherë si mundet i tilli tju vijë në ndihmë shpirtrave të ngarkuar? Kur vjen sprova, dhe kur prej saj mësojmë bindjen, thotë një mendimtar , ne edukohemi për përjetësinë. Kur ne tregojmë durim në bindje dhe durim në shmangien e mëkatit, atëherë mëkati, brenga, egocentrizmi, dhe keqardhja për veten, që na verbojnë nga të parit e të mirës që fshihet pas sprovës, nuk krijojnë në veten tonë një etje të paduruar e cila na verbon ne në raport me të mirën, ndërsa dhenia e ethshme kah materializmi e bën njeriun të pavëndshëm ndaj mëkatit dhe nxjerr në pah egocentrizmin e tij.

Mbaj mend që të parët tanë kishin një shprehje: “Nëse puna do ishte e mirë edhe kadiu do të punonte “, kjo shprehje nuk ka asgjë islame në thelbin e saj edhe pse shpesh këtë mentalitet e dëgjoj prej “njeriut të ri” që ka veshur edhe mantelin Islam.Nëse nuk shpluhurosim nijetin , profesionalizmin dhe mundin herë pas here i cili tashmë po ndryshket nën ndikimin materialist atëherë mundi i atyre (prindërve) që na dërguan dikur të studiojmë për të njohur vetveten më mirë dhe për të ndihmuar kështu të tjerët ka për të qenë një besë e thyer,një premtim i pambajtur,një ëndërr në shërbim të lakmisë dhe jo miletit.Për këtë Imam Kurtubiu citon mendimin e dijetarëve të cilët thonë: “Ata që dinë janë ata që përfitojnë nga dija që e kanë dhe punojnë sipas saj, kurse ai që nuk përfiton nga dija e vet dhe nuk punon sipas saj është në pozitën e atij që nuk di.”Tefsir Kurtubi,vëllimi 16/ 210. Vërtet sistemi ndikon në jetën e njeriut modern por tek e fundit sistemi formohet nga qëndrimet tona të përbashkëta,ndaj nëse prodhimtaria e çdo profesioni apo misioni vihet në rrezik nga një makinë e shtrenjtë apo një rrogë e mirë atëherë dijeni se po shpejt kemi për tu kthyer në makineri të ftohta konsumi.

Së fundmi i drejtohem çdo “profesionisti misionarist”, kujto kur I Dërguari i Allahut në kohën e haxhit në Mekë u shkonte njerëzve (që vinin nga vendet e ndryshme) e u thoshte: “A gjendet në mesin tuaj ndonjë burrë i cili do më shpjerë (dhe strehojë) te populli i tij? Ngase kurejshët më kanë ndaluar të përcjellë fjalët e Zotit tim?.”“Es-Sahihah” (1947). Në këtë moment Islami,misioni, profesioni i vërtetë po të thërret: A gjendet në mesin tuaj ndonjë burrë i cili do më shpjerë (dhe strehojë) te populli i tij që të përcjellë fjalët e Zotit tim?

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re