21 shtator/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet që po kryhen në Maternitetin e ri të Beratit, ku krijohen kushte optimale pas dekadash mungese të krijuara nga keqqeverisja absurde e të shkuarës.

“Materniteti i ri i Beratit është një nevojë e vjetër që plotësohet siç jemi zotuar, duke krijuar kushtet optimale për mirëseardhjen e bebeve në jetë, pas dekadash mungese të krijuara nga keqqeverisja absurde e të shkuarës”,tha Rama.

Rama tha se “godina e re e Maternitetit përmbyll rilindjen e kompleksit spitalor të Beratit, ku gjatë viteve të fundit është investuar më shumë se në dekadat e mëparshme të marra së bashku”.

Në takimin me mjekët dhe infermierët, Kryeministri tha se “më në fund u mbyll edhe kjo plagë e madhe që kishte Berati”. Ai theksoi se “janë projekte shumë cilësore dhe të standardeve europiane të gjitha ndërhyrjet”.

“Qershia mbi tortë është ndërhyrja që do të bëjmë me këtë buqetë për pagat e mjekëve dhe infermierëve dhe do bëjmë një ndërhyrje të fortë dhe rritje të konsiderueshme. Akoma nuk mund të flasim me shifër finale, por besoj se do të arrijmë në 40%. Faktikisht po e konkludojmë këto ditë. Duam ta bëjmë të kombinuar bashkë me pagat e mësuesve dhe  plotësojmë edhe një zotim të marrë se do të kemi rritje 40% të pagave brenda këtij 4-vjeçari”, tha Rama.

Ndërkohë që sa u takon mjekëve e infermierëve, Kryeministri theksoi se “aq më tepër në kushtet aktuale ku është një sfidë edhe më komplekse, por edhe për të garantuar se cilido mjek dhe infermier që do të ushtrojë profesionin këtu do të ketë një pagë që nuk do të jetë inferiore në diferencë nga paga që mund të marri në Itali dhe Gjermani, ku pagesat e taksave dhe qirave janë më të larta”.

“Duke ruajtur edhe bonusin që është faktikisht i konsiderueshëm për ata që lëvizin nga qendrat e tyre, por edhe duke financuar në mënyrë dinjitoze ata që janë aty ku janë. Nuk ka pse diferenca mes pagës së këtushme dhe pagës së bonusit të jetë kaq e lartë, ndërkohë që do mbetet diferenca. Por ata që banojnë aty ku punojnë do kenë një pagë shumë të mirë dhe për infermierët edhe për mjekët. Besoj se jemi më në vrap me kohën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “e mira s’ka fund, por të paktën vendosim një pagë që të jetë absolutisht superdinjitoze dhe pa dallim nga të tjerët në rajon”. “Llogaria që bëjmë duke pasur parasysh edhe taksën që është goxha më e ulët se vendet e tjera është që çfarë i çoni familjeve në shtëpi ta meritoj gjithë mundin që bëni”, tha Rama.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu siguroi se Maternitetin e ri të Beratit do ta kemi gati brenda muajve të parë të vitit tjetër”.
“Është një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare. Materniteti i Beratit deri para pak kohësh në të vërtetë ishte një spital i degraduar. Filluam këtë investim të qeverisë shqiptare për ndërtimin e godinës së re të spitalit”, tha ajo.

Manastirliu tha se në 7 vite kemi përfunduar dhe vijojmë të punojmë në 7 maternitete. “Kemi përfunduar maternitetin e Korçës e të Sarandës, ndërkohë që aktualisht jemi duke punuar në maternitetet e Lezhës, Beratit, Kukësit etj. Pjesë e planit tonë është gjithë rijetësimi i materniteteve në gjithë Shqipërinë”, tha ajo. /j.p/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re