Situata nga zjarret në Mat mbetet kritike. Vatra e zjarrit që ka përfshirë fshatrat e Ulzës sa vjen e zgjerohet.
Terreni i thyer malor, era e fortë dhe thatësira kanë favorizuar përhapjen e flakëve në një sipërfaqe të konsiderueshme duke djegur banesa, stane e duke vënë në rrezik të tjera. Aktualisht situatë më problematike ndodhet në fshatrat Lundre dhe Madhesh ku flakët rrezikojnë banesat, teksa operacioni në rrugë tokësore vijon prej më shumë se një jave.
Vatra e zjarrit është zgjeruar në drejtimet lindje – perëndim dhe tashmë ka kaluar në parkun e mbrojtur të Shkopetit. Autoritetet vendore të mbështetura nga forcat e armatosura vijojnë luftën me flakët por izolimi duket i vështirë pa ndërhyrje nga ajri.
Një tjetër vatër zjarri kërcënon malin e Balgjajt. Flakët që kanë nisur në anën e Selishtës në Dibër i janë afruar kreshtës së Balgjajt duke vënë në rrezik një tjetër ekonomi pyjore të rrethit Mat. Edhe në Bulqizë zjarri i rënë ditë më parë në malin e fshatit Vajkal vijon të jetë aktiv dhe është drejtuar drejt fshatit Shëngjun të Bashkisë Klos.
