Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, akuzoi të hënën Rusinë se po përpiqet të pengojë referendumin e 30 shtatorit në Maqedoni, i cili synon miratimin me votë popullore të marrëveshjes që parashikon ndryshimin e emrit të shtetit në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Në një prononcim për gazetarët që e shoqëronin gjatë udhëtimit të tij për në Shkup, Jim Mattis tha se Rusia po derdh para në Maqedoni.

“Rusia po organizon gjithashtu fushata të shkallës së gjerë dhe efektive. Duhet ta lëmë që populli i Maqedonisë të vendosë vetë”, deklaroi ai.

“Moska po mbron dhe financon grupet proruse për të penguar referendumin që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni. S’kam asnjë dyshim për këtë”, shtoi sekretari amerikan i Mbrojtjes.

Duke theksuar se Rusia është duke përdorur forcën e parasë dhe ndikimin e saj në vend për të forcuar votën kundër në referendumin e Maqedonisë, Mattis sqaroi se ky plebishit hap rrugën e anëtarësimit të vendit në NATO, një zhvillim që Moska e kundërshton në mënyrë kategorike.

Në kuadër të kontakteve të tij në Shkup, sekretari amerikan i Mbrojtjes u takua me Kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev dhe homologen e tij, Radmila Shekerinska.

Ai u prit me ceremoni nga Kryeministri Zaev në sheshin përpara selisë së qeverisë maqedonase, ndërsa në Aeroportin e Shkupit delegacionin amerikan të kryesuar nga Mattis e priti ministrja Shekerinska.

Jim Mattis paralajmëroi ditë më parë se do të vizitonte Maqedoninë në fillim të kësaj jave për të shprehur mbështetjen e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për referendumin e 30 shtatorit për çështjen e emrit, por edhe shqetësimin e Uashingtonit për një ndërhyrje të mundshme të Moskës në këtë proces.

Marrëveshja ndërmjet Athinës e Shkupit për zgjidhjen e kontestit dhjetëravjeçar të emrit dhe për ndryshimin e emrit të shtetit në “Republika e Maqedonisë së Veriut” u nënshkrua më datë 17 qershor të këtij viti.

Ajo u miratua në Parlamentin e Maqedonisë dhe më 30 shtator do të votohet po ashtu në një referendum popullor.

Pyetja që do t’u drejtohet zgjedhësve në referendum është: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”

Nga ana tjetër, dihet botërisht edhe qëndrimi i Rusisë kundër anëtarësimit të vendeve ballkanike në NATO.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re