Ministrja e Arsitmit, Besa Shahini, ka publikuar në profilet e saj në rrjetet sociale, disa fotografi nga shkollat që janë përgatitur për të mirëpritur maturantët ditën e hënë.
Më 18 maj, rreth 31 mijë maturantë rikthehen nëpër shkolla. Si nxënësit ashtu edhe mësuesit do të ndjekin rregullat shumë strikte të distancimit social dhe mbajtjes së higjienës.
Shahini bën me dije se në çdo shkollë do të ketë sinjalistikë të brendshme e të jashtme për orientimin e nxënësve.
Madje për secilën bankë do të ketë dezinfektantë dhe do të qëndrojë vetëm një nxënës, teksa bankat në klasë janë të vendosura në mënyrë të atillë që garantojnë distancimin fizik mes nxënësve e mësuesve.
Ndër të tjera, nëpër shkolla do të jenë të afishuara gjithashtu postera që lidhen me distancimin social, rregullat e qëndrimit në shkollë, higjienizimin, kujdesin që duhet treguar për larjen e duarve etj.