Ministrja e Arsimit, Besa Shahini bëri me dije masat e marra për të garantuar sigurinë dhe distancimin fizik të maturantëve që do të rikthehen në shkollë të hënën.
Përmes rrjeteve sociale, ajo tha çdo bankë do të jetë e pajisur me dezinfektant dhe se në të do të ulet vetëm një nxënës.
“Të gjitha shkollat gati për të mirëpritur maturantët ditën e hënë. Në çdo shkollë do të ketë sinjalistikë të brendshme e të jashtme për orientimin e nxënësve. Për secilën bankë do të ketë dezinfektantë dhe do të qëndrojë vetëm një nxënës, teksa bankat në klasë janë të vendosura në mënyrë të atillë që garantojnë distancimin fizik mes nxënësve e mësuesve. Ndër të tjera, nëpër shkolla do të jenë të afishuara gjithashtu postera që lidhen me distancimin social, rregullat e qëndrimit në shkollë, higjienizimin, kujdesin që duhet treguar për larjen e duarve etj..”
Çdo ditë para fillimit të mësimit, nxënësve do t’u matet temperatura dhe do të pajisen me maska dhe doreza.