Skip to content

Mazhoranca e akuzoi për vjedhjen e dokumentit të klasifikuar/ Shehaj: Marrëveshjen me SHBA e dorëzova sërish aty ku e mora, dokumenti s’ka dalë nga Kuvendi

Agron Shehaj 1

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar pasi u akuzua nga mazhoranca se mori dokumentin e marrëveshjes së klasifikuar me SHBA-në për huanë prej 302 milionë dollarësh dhe u largua me vrap në korridoret e Kuvend.

Shehaj tha se e mori marrëveshjen për ta lexuar pas deklaratës së kryeparlamentarit Niko Peleshi. Ai tha se firmosi dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe më pas e mori atë dhe u largua.

“Në lidhje me lajmet që kanë dalë mbi dokumentin e marrëveshjes, thjesht e keni parë vetë që kryeparlamentari u tha deputetëve që po ankoheshin se mund ta gjenin te zyra këtu afër. Nuk tha që nuk mund ta marrësh. Unë shkova, firmosa dokumentin për mospërndarjen e marrëveshjes dhe u largova. Ne na kërkojnë shumë gjëra në Kuvend, madje na kërkojnë të mos shkojmë kur është Rama”, tha ai.

“Marrëveshjen e dorëzova sërish aty ku e mora. Marrëveshja nuk ka dalë nga Kuvendi i Shqipërisë. E mora sepse më takonte. Ajo është një marrëveshje sekrete dhe nuk jam i autorizuar të jap detaje.”, u shpreh ai,

“Ne në parim, jemi pro marrëveshjes, por jemi kundër procedurës që po ndiqet nga Kuvendi”, deklaroi Shehaj.