Socialistët nuk janë tërhequr nga qëllimi për të pastruar politikën nga ish bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit.

 

Taulant Balla, kryetari i grupit të  deputetëve të PS-së thotë se dy propozimet e tyre do të diskutohen me rinisjen e parlamentit.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

Çuarja përpara e propozimeve tona është një detyrim i Kuvendit të Shqipërisë.

 

Afër vendoreve të 14 majit, ndryshimet e kërkuara nga mazhoranca qeverisëse prekin ligjin e dekriminalizimit dhe  të partive politike. Në të parin kërkohet ndalimi i kandidimit dhe shkarkimi nga ushtrimi i funksioneve publike pasi vërtetohet nga Autoriteti i Dosjeve se janë ish bashkëpunëtorë apo të favorizuar të organit famëkeq, sigurimi i shtetit.

 

Edhe në të dytin, socialistët propozojnë ndalimin dhe shkarkimin e kryetarëve të partive politike me të shkuar komuniste.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

Koha është e mjaftueshme që të pamundësojmë që personat të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të ish sigurimit të shtetit të zgjidhen qoftë në organet e pushtetit vendor, ku bëhet fjalë për zgjedhjet e 14 majit, qoftë në pushtetin legjislativ, ekzekutiv apo në pozicione të tjera.

 

Miratimi i tyre kërkon 84 vota, të cilat Partia Socialiste nuk i ka. Ajo shpreson t’i gjejë te grupi i deputetëve mbështetës të ish kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

Sikurse kemi arritur të gjejmë gjuhën e përbashkët në ndryshimet që kaluam gjatë sesionit të tretë, për sa i përket ndryshimet në ligjin për Autoritetin e Informimit mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Besoj do të gjejmë gjuhën e përbashkët duke rikujtuar që ne kemi pranuar edhe disa ndryshime të opozitës të cilat lidheshin më çështje që adresohen në ligjin për informacionin e klasifikuar në Republikën e Shqipërisë.

 

Propozimet ligjore nga socialistët për t’i hequr të drejtën e kandidimit apo drejtimin e një partie politike nëse vërtetohet lidhja me ish-sigurimin e shtetit, erdhën pas dyshimit se Ilir Meta është ish bashkëpunëtor i organit famëkeq të spiunimit.

 

Në korrikun e 2022-it, një ditë pasi Ilir Meta nuk ishte më president, Autoriteteve i Dosjeve zbuloi se një politikan i nivelit të lartë me inicialet I.M  dyshohet të jetë një ish bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit. Akuza është mohuar nga kryetari i Partisë së Lirisë ndërsa për Taulant Ballën është ai dhe disa të tjerë.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

Nuk mendoj që i vetmi bashkëpunëtor i ish sigurimit të shtetit në politikën aktive shqiptare është vetëm Ilir Meta. Mendoj që duhet të jenë më shumë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re