Skip to content

Mazhoranca i përgjigjet Ilir Metës: Kuvendit i vjen anash, boll me historitë e një njeriu që është nën hetim

Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla deklaroi këtë të mërkurë se presidenti Ilir Meta është në hetim nga një komision hetimor parlamentar dhe fakti që ka deklaruar se do të shkarkojë Parlamentin është qesharake.

Balla tha se “presidenti i vjen anash Kuvendit”, nëse Meta do ta shpërndajë atë.

“Presidenti në gjuhë popullore i vjen anash Kuvendit në kuptimin e së drejtës kushtetuese për të shpërndarë Kuvendin.

Presidenti duhet të kuptojë qartë që është në hetim nga Kuvendi përsa i përket shkeljeve të njëpasnjëshme kushtetuese.

Mos ia zini veshët kot dhe mos jepni më arsye për diskutim në tryezat e shtëpive të shqiptarëve me historinë që presidenti pas 15 marsit do shpërndajë parlamentin se kjo është qesharake.

Kjo nuk duhet marrë fare në konsideratë”, tha Balla.

Pas paralajmërimit të presidentit ne largim se do ta firmosë në Kuvend dekretin për shpërndarjen e tij, Balla tha se Kushtetuta i ka përcaktuar rastet kur presidenti i drejtohet Kuvendit.

Sipas tij, Kuvendi mund ta shkarkojë presidentin, por jo ky i fundit Kuvendin.

“Kushtetuta e ka të përcaktuar rastin kur kreu i shtetit mund t’i drejtohet Kuvendit.

Diskutohet me pathos në lloj-lloj rruge se njëri që fryhet dhe do dali e do shpërndajë parlamentin.

Republika e Shqipërisë është Republikë e pastër parlamentare dhe presidenti i Republikës Ilir Meta i zgjedhur nga Kuvendi e di fare mirë këtë mungesë të së drejtës së presidentit për të pasur këtë lloj qasje në marrëdhënie me Kuvendin.

Kuvendi e shkarkon presidentin dhe procesi i shkarkimit certifikohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Balla.