Konkursi mbarëkombëtar ICT Awards ka hyrë në fazën përfundimtare të identifikimit dhe vlerësimit të yjeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në mbarë trevat shqiptare.

Pasi mbylli me sukses turin e takimeve me plot 21 të tilla të mbajtura në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Durrës, Tetovë, Shkodër, Gjakovë, Ulqin, Pejë dhe Korçë, edicioni i gjashtë mbylli aplikimet të Shtunën e datës 31 Mars në ora 00:00.

Mbi 100 aplikime kishin mbërritur pranë organizatorëve të garës. Risia e këtij edicioni është përfaqësimi i gjerë i një inovacioni që flet shqip përtej kufijve, me aplikantë nga Stambolli, Milanoja, Londra, Kalifornia, Dublini dhe Bilbaoja.

Edicioni i gjashtë shënoi startin e tij më datë 2 Shkurt në një aktivitet të dedikuar me një pjesëmarrje të gjerë nga mbarë komuniteti shqiptar i teknologjisë së informacionit.

Mbyllja e aplikimeve i hap rrugë fazës finale të prezantimit dhe vlerësimit të projekteve nga juria e ICT Awards e cila këtë vit përbëhet nga: Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Anila (Hoxha) Tollkuçi, Prof. Dr. Ilir Çapuni, Jonida Çerekja, Altin Petre, Visar Jasiqi, Prof. Dr. Azir Aliu, Sokol Vladi, Gjergji Guri, Muhedin Nushi dhe Ermal Beqiri.

Për herë të parë juria u mblodh më datë 2 Prill, takimi i parë i disa takimeve që do të mbahen deri në shpalljen e fituesve në natën gala të datës 27 Prill.

Në takim u firmos “Deklarata e Konfidencialitetit” nga të gjithë anëtarët e jurisë përpara fillimit të mbledhjes.

Me unanimitet të plotë u bë edhe përzgjedhja e kryesisë. Jurinë këtë vit do ta drejtojë zj. Anila Hoxha Tollkuçi Shefe e Sigurisë së Informacionit pranë Raiffeisen Bank, ndërsa zëvendës kryetarë u zgjodhën z. Ilir Çapuni Drejtor i Qendrës Kërkimore të Avancuara Kompjuterike pranë University of New York in Tirana dhe z. Muhedin Nushi Drejtor i Drejtorisë së Administratës në Komunën e Prishtinës, të cilët me kënaqësi pranuan përgjegjësinë e dhënë.

Ata u shprehën të vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe rëndësinë e këtyre roleve si dhe shprehën vullnetin, dëshirën dhe kënaqësinë e tyre për të përfaqësuar jurinë në aktivitetet vijuese.

Juria u njoh me listën e aplikantëve, emrat e kandidatëve, projektet dhe detajet e tjera të aplikimit.

Gjithashtu u bë dorëzimi i materialeve përfundimtare për vlerësim, si dhe afati për vlerësim.

Një listë e ngushtuar e kandidatëve të përzgjedhur do të demonstrojë projektet përpara jurisë më 14 Prill në Prishtinë për aplikimet nga Kosova ndërsa më 15 Prill në Tiranë për aplikimet nga Shqipëria.

Në edicionin e gjashtë, ICT Awards vijon të gëzojë mbështetjen e sponsorëve tradicionalë Fondacioni Dritan Hoxha, Banka Raiffeisen dhe Albvision. Një rrjet i gjerë partnerësh dhe mbështetësish do të gjenden pranë ICT Awards përgjatë rrugëtimit.

Më 27 Prill ICT Awards do të shpallë në një aktivitet Gala fituesit e garës në shtatë kategori: ICT Inovacioni i Vitit, ICT Mobiliteti i Vitit, ICT Diploma e Vitit, ICT Ylli në Ngritje i Vitit, Femra në ICT, ICT Shërbimi Publik i Vitit dhe Siguri Kibernetike.

Për çdo informacion rreth garës, kategorive, kritereve të vlerësimit dhe zhvillimeve më të fundit rreth garës, të interesuarit ftohen të vizitojnë faqen zyrtare ictawards.org.

Edicioni i gjashtë i Albanian ICT Awards vjen pas plot pesë vitesh rrugëtim. Themeluar në 2012-ën, kjo garë është shndërruar në një oaz inovacioni ku shqiptarë nga mbarë trevat por edhe më gjere gjetën mbështetjen por edhe inkurajimin e duhur, atë të një komuniteti të tërë i cili rritet dita ditës, një komunitet i aftë të vlerësojë përpjekjet e tyre.

Rreth ICT Awards VI

Ky eveniment, unik për nga karakteri dhe dedikimi, ka për synim identifikimin, shpërblimin dhe promovimin e profesionistëve të dalluar , udhëheqësve të suksesshëm të bizneseve, novatorëve, akademikëve dhe të rinjve entuziast në fushën e ICT-së, puna e së cilëve përgjatë 2017-tës ka përmirësuar apo ndihmuar pozicionin e TIK-ut Shqiptar në rajon ose botë, si dhe ka kontribuuar drejt zgjerimit të sektorit biznesor të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Rreth ICTSmedia

ICTSmedia si një shtëpi botuese dhe lider në median e ndërlidhur me Teknologjinë e Informacionit, Komunikimit dhe Sigurisë (ICTS), kësaj radhe prezanton edicionin e 6-të vjetor kombëtar të evenimentit shpërblyes “Albanian ICT Awards VI” (ose “TIK Shpërblimet Shqiptare 6”).

Galeria e Fotove nga takimi i parë i jurisë: https://www.facebook.com/pg/ictawards.org/photos/?tab=album&album_id=1161647193991805

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re