Agjencia italiane e lajmeve ANSA prezanton përmbajtjen e një libri që do të botohet në ditët në vijim në Itali si “trashëgimia shpirtërore e Papa Benediktit të nderuar”, i cili vdiq sot, më 31 dhjetor, në moshën 95-vjeçare.

“Mbajeni besimin tuaj të fortë, mos lejoni që t’ju ngatërrojnë. Jezu Krishti është me të vërtetë jeta dhe e vërteta dhe Kisha, me të gjitha të metat e saj, është vërtet trupi i tij”, është një nga mesazhet kryesore të papës së ndjerë.

Libri është redaktuar nga sekretari i tij personal, At Georg Ganswein, dhe gazetari Saverio Gaeta, për botimet italiane Piemme.

Nga 2 janari, trupi i Benediktit do të vendoset në një pelegrinazh popullor në Vatikan.

Varrimi i tij do të bëhet të enjten më 5 janar në sheshin e Shën Pjetrit, njoftoi zëdhënësi i Vatikanit.

Ceremonia, sipas të njëjtit burim, do të fillojë në orën 09:30 me orën lokale, e kryesuar nga Papa Françesku dhe me praninë e liderëve politikë dhe fetarë.

Papa Benedikti XVI tronditi Kishën Katolike kur njoftoi dorëheqjen e tij në vitin 2013. Që atëherë ai jetoi në një ish-manastir në Vatikan.

Benedikti, Papa i parë gjerman në 1000 vjet, u zgjodh më 19 prill 2005, për të pasuar Papa Gjon Pali II shumë popullor, i cili qëndroi në krye të Kishës Katolike Romake për 27 vjet. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re