Në prag të Ramazanit, Metin Ferati, një inxhinier softuerik nga Shkupi, së bashku me ekipin e tij ka lançuar aplikacionin “Kurani Shqip,” i cili ofron Kur’anin e plotë me përkthim fjalë për fjalë në gjuhën shqipe.

Aplikacioni mundëson leximin e Kur’anit ashtu si në Mus’haf, me mundësi që përdoruesi të klikojë çdo fjalë dhe të shikojë kuptimin e saj në shqip.

Përkthimi fjalë për fjalë është punuar nga profesori i njohur i arabishtes Jahja Hondozi, ndër njohësit më të thellë të kësaj gjuhe, ndërsa aplikacioni ofron edhe dy përkthime të plota ajet për ajet nga Hasan Nahi dhe Jahja Hondozi.

Ndër veçoritë tjera, përdoruesit mund të ruajnë fjalët dhe ajetet e preferuara, të navigojnë lehtë mes 114 sureve, dhe të vazhdojnë leximin aty ku e kanë lanë.

 “Qëllimi ka qenë me e kuptu çka po lexojmë dhe me qenë sa ma lehtë i përdorshëm për të gjithë,” thotë Ferati.

Aplikacioni është komplet falas, pa reklama dhe pa nevojë për regjistrim. Momentalisht është i disponueshëm për iPhone përmes App Store, ndërsa versioni për Android pritet së shpejti.

Më tepër informacione mund të gjenden në faqen metinferati.com/kurani-shqip.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re