Ka mbërritur në Kryeministri, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili është pritur nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

Kryeministri Rama dhe presidenti Zelensky do të zhvillojnë një takim kokë më kokë në godinën e qeverisë.

Pak para mbërritjes në Kryeministri, Zelensky ka reaguar për vizitën e tij në Tiranë jy shprehej se do të takohej me kryeministrin Rama, të cilin e quan mik të palëkundur të Ukrainës.

Presidenti ukrainas theksoi se do të diskutojnë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politike, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë.

“Sot punoj ne Tirane. Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore.

Në bisedimet tona dypalëshe me Kryeministrin dhe ekipin e tij, do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për Formulën e Paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë.

Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, i cili tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër. 

Do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit”, shkruan Zelensky.

 

Axhenda

 

Sipas axhendës së publikuar, rreth orës 9:30 të dyja delegacionet do të kenë një takim bilateral, ndërsa rreth orës 10 është planifikuar firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës.

Më pas rreth orës 11:30, kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, do të mbajnë fjalët hapëse të sesionit.

Ndërsa në orën 13:00 do të jetë edhe fotoja familjare e pjesëmarrësve. Samiti mbyll punimet në orën 13:30, në një konferencë të përbashkët Rama-Zelensky.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re