Viti 2024 i gjen demokratët në një situatë të pazakonte me liderin e opozitës Sali Berishën të izoluar në shtëpi.

Dhjetëra demokratë, deputetë, anëtarë të Këshillit Kombëtar e kryesisë janë mbledhur paradite para shtëpisë së ish-kryeministrit në shenjë proteste ndaj vendimit të gjykatës për t’i hequr lirinë Sali Berishës. Ndërkohë që vetë lideri i opozitës Sali Berisha ka dalë disa herë në dritare për të përshëndetur mbështetësit e tij.

Sipas demokratëve vendimi i gjykatës për të vendosur si mase sigurie arrest në shtëpi për liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berisha, është një sulm politik i kryeministrit Edi Rama ndaj opozitës.

Pjesë e tubimit është bërë për disa minuta edhe vajza e ish-kryeministrit, Argita Malltezi, duke përcjellë mesazhin se opozita do ta fitojë betejën kundër qeverisë Rama.

“Të nisësh Vitin e ri me një sfidë të tillë është shumë e vështirë por dhe motivuese, nuk ka pranga sistemi që mund të burgosin lirinë tuaj, ju jeni misionarët e lirisë suaj, që nga kjo rrugicë do të shtrihet në çdo cep të vendit.”, tha Argita Malltezi.

Mesditën e 30 dhjetorit gjykata e posaçme vendosi si mase sigurie ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha arrest në shtëpi, duke i ndaluar çdo komunikim liderit të opozitës përveç komunikimit me familjen e tij.

Lideri i opozitës Sali Berisha është nën hetim për akuzën e korrupsionit pasiv, pasi prokuroria dyshon se gjatë kohës që ishte kryeministër ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, për të marrë pronën e tij në zonën e ish-kompleksit “Partizani”./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re