Papillomavirusi i njeriut (Human Papilloma Virus – HPV) është shkaktari kryesor i kancerit të qafës së mitrës. Është një infusion shumë ngjitës që transmetohet nëpërmjet kontaktit seksual ose lëkurë më lëkurë; 80% e femrave seksualisht aktive e marrin atë në një moment të jetës së tyre.  Ka mbi 100 tipe të HPV-së, por 2 – tipet 16 dhe 18 – shkaktojnë 70% të kancereve. Vaksina e HPV-së është pothuajse 100% efektive në parandalimin e shumicës së infeksioneve HPV që mund të rezultojnë në parakancer dhe kancer.

Kanceri i qafës së mitrës është ndër kanceret më të parandalueshëm: përveçse parandalohet përmes vaksinimit HPV, lezionet parakanceroze mund të zbulohen lehtësisht përmes depistimit përpara se të shndërrohen në kancer. Kur ekzaminimi zbulon lezione parakanceroze, këto mund të trajtohen dhe kanceri mund të shmanget. Ekzaminimi gjithashtu mund të zbulojë kancerin në një fazë të hershme kur predispozita që trajtimi të jetë i suksesshëm dhe të ketë shërim, është më e lartë.

Pavarësisht përparimeve të ekzaminimit dhe vaksinimeve, sot më shumë se 30 000 gra çdo vit vdesin nga kanceri i qafës së mitrës në Rajonin Evropian të OBSH-së. Ai mbetet kanceri i tretë më i zakonshëm tek gratë nën 44 vjeç. Nisur nga teknologjia dhe nivelet e zhvillimit në rajon, gratë kanë të drejtë të mbrohen nga kjo sëmundje. Promovimi më i gjerë i vaksinës HPV në kombinim me ekzaminimin e rregullt të qafës së mitrës, ka potencialin të shpëtojë shumë jetë, veçanërisht ndër vajzat dhe gratë në moshë më të re.

Qasje e koordinuar ndaj kancerit të qafës së mitrës

OBSH mbështet një qasje gjithëpërfshirëse për parandalimin, zbulimin dhe trajtimin e kancerit të qafës së mitrës. Kjo kërkon mundësimin e ndërhyrjeve efektive për gratë gjatë gjithë jetës së tyre, duke filluar nga fëmijëria. Këto ndërhyrje përfshijnë edukimin e komunitetit, mobilizimin social, vaksinimin kundër HPV, shqyrtimin, trajtimin dhe kujdesin paliativ. Për të arritur këtë, programet kombëtare të shëndetit (veçanërisht për imunizimin, shëndetin riprodhues, kontrollin e kancerit dhe shëndetin e adoleshentëve), organizatat dhe partnerët, duhet të punojnë së bashku.

Ekzaminimi i qafës së mitrës është ende i nevojshëm për gratë që janë vaksinuar, për të ndihmuar në parandalimin e kancerit të qafës së mitrës që nuk targetohet nga vaksina HPV. Ekzaminimi i kancerit të qafës së mitrës duhet të zbatohet gjithmonë si pjesë e një rrugëtimi, ku përfshihet edhe trajtimi.

 

Përshtati në shqip: Redina Çanaku

Burimi: OBSH (WHO) – https://www.who.int/europe/activities/supporting-the-prevention-detection-and-treatment-of-cervical-cancer

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re