VOLTIZA DURO/ Kanë mbetur vetëm katër ditë për të aplikuar në Skemën Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi 2025, një mundësi e rëndësishme për fermerët shqiptarë për të përfituar mbështetje financiare në sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe blegtorisë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, u ka bërë thirrje fermerëve që të aplikojnë përmes portalit “e-Albania” deri më 30 maj 2025. “Apliko ‘online’ përmes portalit ‘eAlbania’ dhe përfito mbështetje për: blegtorinë, bletarinë, farat dhe fidanët, bimët mjekësore aromatike, fermat organike, certifikimin ‘Global Gap’, si edhe naftën për punimet e mekanizuara në bujqësi. Aplikimet janë të hapura deri më 30 maj 2025. Apliko tani!”, – tha Denaj. Thirrja për aplikime, në tetë masat mbështetëse të Skemës Kombëtare në Bujqësi 2025, u çel më 14 prill 2025 dhe do të vijojë të jetë e hapur deri më 30 maj 2025.
ÇFARË OFRON SKEMA?
Skema ofron mbështetje financiare për një sërë sektorësh të bujqësisë dhe blegtorisë. Fermerët që mbarështojnë lopë ose mëshqerra me një tufë prej të paktën 10 krerësh mund të përfitojnë deri në 10,000 lekë për krerë, ndërsa për viçat ofrohet një mbështetje prej 5,000 lekësh për krerë. Për bagëtitë e imta, si delet dhe dhitë, me një tufë prej të paktën 100 krerësh, ofrohet një pagesë prej 1,200 lekësh për krerë. Bletarët që kanë të paktën 50 zgjoje mund të përfitojnë 1,000 lekë për zgjua.
Në sektorin e bimëve, kultivuesit e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe luleshtrydheve në tunele plastike, me një sipërfaqe të mbjellë prej të paktën 1 hektar, mund të përfitojnë deri në 200,000 lekë për hektar. Fermerët që përdorin kontrollin biologjik të dëmtuesve në këto kultura përfitojnë një pagesë shtesë. Për kultivuesit e bimëve mjekësore dhe aromatike, me një sipërfaqe të mbjellë prej të paktën 1 hektar ofrohet një pagesë prej 30,000 lekësh për hektar. Fermat organike që janë në periudhën e kalimit drejt certifikimit përfitojnë 100,000 lekë në vitin e parë, 150,000 lekë në vitin e dytë dhe të tretë dhe 200,000 lekë për fermat e certifikuara.
Për implementimin dhe certifikimin ‘Global GAP’ përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, ofrohet mbështetje në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore. Shuma maksimale e mbështetjes varion nga 175,000 lekë për certifikim individual në sipërfaqe prej të paktën 1 hektar, deri në 700,000 lekë për certifikim në grup në sipërfaqe më të mëdha. Gjithashtu, skema ofron mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi, me vlerën që përcaktohet në varësi të kulturave bujqësore të mbjella.
/Gazeta Panorama