Lëvizja Socialiste për Integrim akuzon qeverinë se skema për sektorin e bujqësisë bie ndesh me interesat e fermerëve. Edmond Panariti, ish-ministër i Bujqësisë gjatë bashkëqeverisjes PS-LSI, deklaroi se fondet do të jepen me qëllim për të eliminuar fermerët e vegjël, të cilët ndodhen në nevojë urgjente për mbështetje.
 
 “Mesazhi qe jepet është qartë, të mëdhenjtë të gëlltisin te vegjlit , duke i shndërruar këta te fundit ne rastin me te mire ne punëtore me mëditje, sigurisht nëse latifondistët dhe landlordet e rinj do kenë nevojë për ti punësuar. Madje kjo ne qëndrimin zyrtar te qeverise konsiderohet edhe si mekanizmi i konsolidimit te tokës bujqësore dhe i zgjerimit të sipërfaqes”
 
I menjëhershëm ishte reagimi i ministrit Niko Peleshi, i cili thekson se e vërteta është shumë larg nga ish-ministri dhe qeveria është sot shumë më pranë fermerëve se dje.
 
Në një postim në Facebook, Peleshi thotë se gjatë vitit 2018 ka 6 mijë aplikime nga fermerët e vegjël, 25% më tepër se dje.
 
Ministri i Bujqësisë shkruan se nxitja për bashkimin në shitje të fermerëve të vegjël, duke i përjashtuar bashkimet e tyre nga TVSH-ja e duke siguruar për to 25-50% më tepër financim krahasuar me fermerët individualë, është mbështetje reale për rritjen e të vegjëlve dhe aspak mohim mundësish për ta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re