Ditën kryeministri Edi Rama e ka nisur duke publikuar një video në “Facebook” për shqiptarët. Në video, shqiptarët përshkruhen si njerëz të çuditshëm që duan atë që nuk kanë dhe kanë atë që nuk duan. Sipas Ramës, pas situatës që solli koronavirusi, shqiptarët nuk duan më të largohen nga vendi, por vetëm të mbushin rrugët plot sërish.
“Jemi njerëz të çuditshëm ne shqiptarët. Kemi një vend të vogël përrallor, por e duam vetëm kur na e shanjë të tjerët, dhe e shajmë më shumë se askush tjetër. Themi nuk jetohet këtu dhe vetëm ikim, por kur ikim e kemi mendjen vetëm këtu. Në punë pimë kafe, dhe në kafe flasim për punë. Në shtëpi mblidhemi vetëm për të dalë përsëri dhe për t’u ankuar për këtë dreq vendi.
Po tani? Tani që shtëpia është plot? Mbetëm me kokë në dritare. Tani që vendi është qetësi, pa smog, na zien gjaku për t’ia kalëruar në këmbë rrugët, plazhet, malet, na mungon puna dhe po na plas shpirti për pak kafe dhe muhabet. Këtij virusi me emrin prej birre më shumë se frikën i kemi inatin pse na ndau me Shqipërinë dhe me shoqërinë. Tani nuk duam të ikim nga Shqipëria, duam vetëm të rikthehemi në rrugët e saj. Njerëz të çuditshëm ne shqiptarët, gjithnjë kemi atë që s’duam dhe duam gjithnjë atë që e s’kemi. Dhe megjithëse e kemi kaq të bukur Shqipërinë, u desh një virus që të ribiem në dashuri me këtë dreq vendi…”
