19 magjistratë që kanë ngelur në të dyja shkallët e vetting-ut, i janë drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit duke i kërkuar rishikimin e vendimit të shkarkimit të tyre, me argumentin se anëtari që i rrëzoi nga vetting-u, ishte ish-gjyqtari i dënuar me 6 muaj shërbim prove, Luan Daci. Ky precedent vjen fill pasi njëri prej ish-prokurorëve të KLP, Besnik Cani fitoi të drejtën nga Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që KPA të rishikojë vendimin.

 

Për avokatin Jordan Daci kjo do të çonte në kolaps shtetin e ngritur mbi baza ligjore, pasi do të vinte në pikëpyetje të gjitha vendimmarrjet që këta ish gjyqtarë kanë dhënë ndonjëherë.

 

JORDAN DACI

AVOKAT

Me këtë logjikë i bie që të gjithë të dënuarit, çdokush që është dënuar, çdo vendim që ata kanë dhënë, që janë me mijëra, ka pasur një pjesë prej tyre që kanë gjykuar një jetë, i bie që të gjitha të rishikohen, dhe këtu merr fund koncepti i shtetit ligjor dhe i sigurisë juridike, përveçse në rastet kur kemi një gjë shumë madhore, që në rastin konkret nuk më duket element rishikues për mendimin tim.

 

KPA-së, si organi që vulos konfirmimin apo shkarkimin nga detyra e një magjistrati, do t’i duhej të kundërshtonte ligjshmërinë e proceseve të veta gjyqësore thotë edhe avokati Arbër Hoxha.

 

ARBËR HOXHA

 

AVOKAT

Sigurisht që të gjitha palët e interesuara kanë të drejtën e tyre për t’iu drejtuar Kolegjit, por Kolegji i Posaçëm i Apelimit, nuk ka bazën ligjore për të prishur vendimmarrjen e vetë, qoftë kjo e cenueshme siç është rasti i zotit Daci. Të gjithë këta persona që nuk i janë drejtuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por që i drejtohen drejtpërdrejtë KPA-së, sigurisht që në optikën time, bëjnë edhe një gabim të madh profesional, duke qenë se kanë qenë edhe gjyqtarë dhe prokurorë.

 

Ekspertët arsyetojnë se përveçse kërkesat nuk gjejnë terren ligjor, pasi ankuesit nuk paraqesin as prova të reja për të mbështetur kundërshtinë e tyre, vendimi i gjykatës Europiane nuk mund të aplikohet edhe për 19 ish gjyqtarët dhe prokurorët e tjerë.

 

JORDAN DACI

AVOKAT

Kemi një boshllëk kushtetues, i cili bën pothuajse të pamundur rigjykimin klasik që ne kemi në mendje. Pra, i bie që i njëjti trupë gjykues, me përjashtim të një apo dy që mund të kenë ndodhur ndryshimi rrugës të mos jenë. Në rastin konkret nuk bëhet fjalë për prova të tjera, nuk lidhet me meritat e çështjes, por lidhet vetëm me një aspekt procedurial, ku një anëtar është cilësuar jo në rregull.

 

ARBËR HOXHA

AVOKAT

Duhet të mbahet parasysh që vendimmarrja e Gjykatës Europiane e të Drejtave të Njeriut, është një vendimmarrje vetëm për palët që janë në proces, palë në të cilën ka qenë vetëm Besnik Cani. Përsa i përket të gjithë prokurorëve apo gjyqtarëve të shkarkuar nga një vendimmarrje e ngjashme, nuk afektohet pavarësisht se shkaku mund të jetë i njëjtë, pra zoti Daci.

 

Ish-prokurori Besnik Cani fitoi të drejtën e rishikimit të vendimit të shkarkimit pas padisë ngriti ndaj vendimit të KPA-së në Gjykatën Europiane për të drejtat e njeriut. Kjo e fundit thotë se vendimi nuk i imponon shtetit shqiptar një detyrim për të rihapur të gjitha rastet e ngjashme. Ka qenë Cani ai i cili e kallëzoi penalisht Luan Dacin në SPAK, kallëzim i cili përfundoi me dënimin e ish-anëtarit të shkallës së dytë të Vetting-ut.

 

Daci u dënua me 6 muaj shërbim prove nga Apeli i Posaçëm për falsifikim dokumentesh në formularin, që kishte dorëzuar për të qenë pjesë e trupës vetuese.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re