Skip to content

Mbetje shqiptarësh të zhdukur në komunën serbe mes Prizrenit e Ferizajt

shterpce 1920x1080 1

Mbetje mortore janë zbuluar së fundi në fshatin Brod, në Komunën e Shtërpcës, mes Prizrenit e Ferizajt, gjatë kërkimeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, sipas të cilit operacioni i kërkimit në këtë zonë kishte nisur më 6 nëntor 2026, pas marrjes së autorizimit përkatës gjyqësor.

Gjatë fazës së parë të kërkimeve, autoritetet nuk arritën të identifikonin vendndodhjen e varrit të dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite. Kërkimet u rifilluan më 12 nëntor, kur u bë i mundur zbulimi i mbetjeve mortore.

Sipas njoftimit zyrtar, mbetjet e gjetura do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjekoligjore, ndërsa identifikimi i mundshëm i tyre do të kryhet edhe përmes analizave të ADN-së.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Policisë së Kosovës, përkatësisht sektorit që merret me hetimin e krimeve të luftës dhe personave të zhdukur. Procesi u mbështet edhe nga Prokuroria, përmes Departamentit për Krime Lufte.

Komisioni bëri të ditur se identifikimi i këtij lokacioni ishte rezultat i bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me autoritetet kroate që merren me çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

Një kontribut të rëndësishëm në këtë proces kanë dhënë edhe familjarët e personave të zhdukur, organizatat që përfaqësojnë familjet e tyre, si dhe qytetarët që kanë vënë në dispozicion informacione për vendndodhjen e dyshuar.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi identitetin apo numrin e personave të cilëve mund t’u përkasin mbetjet e zbuluara.

Kujtojmë se Shtërpca është një komunë serbe jo në kufi me Serbinë. Aty jetojnë gjithashtu dhe një masë e madhe shqiptarësh ku dhe vetë komuna është mes një deti shqiptarësh ku serbët janë thjesht një pakicë. Megjithatë, fërkime të ashpra etnike nuk mund të thuhet se ka patur.