Kontenjerët e nisur nga Shqipëria në Tajlandë më 4 korrik dhe të kthyer në Durrës së fundi, mbahen të sekuestruar nga prokuroria e Durrësit. Organizata ndërkombëtare BAN dyshon se bëhet fjalë për lëndë kancerogjene.

Pasi përshkoi dy porte të Bashkimit Europian, një në Afrikën e Veriut dhe një në Afrikën e Jugut e së fundi përfundoi në Azi, 102 kontenjerët me mbetje të rrezikshme – për të cilën ka dyshime se përmban lëndë kancerogjene – u rikthye sërish në Shqipërinë portin e Durrësit, aty nga u nisën më 4 korrik të këtij viti.

Katër muaj më parë, ngarkesa u nis drejt kompanisë “Copper Metal Company Ltd” në Tajlandë, kompani pa kapacitetin e nevojshëm për trajtimin e mbetjeve të tilla. Por një informacion i marrë përmes një burimi konfidencial nga “Basel Action Network” (Rrjeti i Veprimit të Bazelit), organizatë mjedisore me bazë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ngriti alarmin se ngarkesa përmbante mbetje të rrezikshme.

Mbetjet e rrezikshme, tranzit në disa porte
“Mbetjet lëvizën fillimisht drejt Italisë. Aty sasia u ngarkua në dy anije të ndryshme tregtare të kompanisë “Maersk”: “Maersk Candor” dhe “Maersk Campton”. Të dyja anijet përshkuan të njëjtin itinerar, por ato lundruan shumë ditë larg njëra-tjetrës. Nga Italia udhëtuan drejt Maltës, Marokut, Afrikës së Jugut dhe më pas Singaporit. Mendohet që ato kaluan përmes bregut perëndimor të Afrikës për të shmangur zonën e Detit të Kuq, për shkak të piraterisë Houthi. Anijet kishin vendosur të ankoronin në Afrikën e Jugut por pasi ne njoftuam qeverinë, aëherë ato fikën fenerët lokalizues deri afër Singaporit. Kjo “zhdukje në errësirë” ishte shumë e pazakontë “– thotë për Deutsche Welle Jim Puckett, drejtori ekzekutiv i BAN.

Frika e BAN lidhej me përmbajtjen e pluhurit të këtyre kontenjerëve, të cilët i përkasin “Kurum”, kompanisë turke të industrisë së përpunimit të çelikut në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. “Ne druhemi se kjo ngarkesë përmban lëndën që pretendon burimi ynë konfidencial: pluhur çeliku që çlirohet nga furrat me hark elektrik. Nga BE është përcaktuar si mbetje e rrezikshme. Hiri që grumbullohet në filtrat e furrave përmban kryesisht metale të rënda të rrezikshme si plumbi, kadiumi, zinku, nikeli etj. Por përmban gjithashtu elementë toksikë, që shkaktojnë kancer, si për shembull dioksinat, furani, hidrokarburet aromatike policiklike” – sqaron Puckett.

Vetë kompania “Kurum” nuk e ka pranuar deri tani se ngarkesa i përket kompanisë. Në një reagim për mediat më 21 gusht të këtij viti, pasi BAN ngriti alarmin për lëndën e dyshuar, kompania tha: “Kurum International nuk ka eksportuar asnjëherë mbetje të rrezikshme, ndaj edhe në këtë rast kjo ngarkesë për të cilen bëhet fjalë nuk është eksportuar nga Kurum International”.

Mbetjet nga “Kurum” rezultuan të ishin blerë nga kompania eksportuese “Sokolaj” – tashmë nën hetim nga prokuroria e Durrësit – e cila pretendon se nuk ka eksportuar mbetje të rrezikshme.

Gjatë gushtit, përmes një njoftimi të përbashkët për mediat, ministria e Mjedisit dhe ajo e Infrastrukturës, u shprehën njëzëri kundër rikthimit të sasisë së mbetjeve që ishin nisur drejt Tajlandës. “Shqipëria nuk mund të pranojë apriori rikthimin e ngarkesave të tilla, aq më tepër vetëm mbi bazën e dyshimeve e të spekulimeve, pa realizimin e analizave shteruese dhe provave ligjore të besueshme dhe të verifikueshme”.

Kontaminim i mjedisit dhe shëndetit
Valbona Mazreku, biologe dhe njëkohësisht drejtore ekzekutive e “Milieukontakt Albania”, organizatë që bashkëpunon me shoqërinë civile në çështjet mjedisore, është pjesë e grupit të organizatave që po bashkëpunon me BAN për transparencën e plotë të kësaj ngjarjeje që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare.

“Përpara se kontenjerët të ngarkoheshin në anije, është vënë re qe pirgu i mbetjeve ka qenë në ambient të hapur dhe nën veprimin e faktorëve atmosferikë, ka ndotur mjedisin përreth – ajrin, tokën dhe ujin – por edhe shëndetin. Gjithsesi, vetëm pasi të bëhen analizat mund të flitet më shumë në lidhje me të. Por besohet që këto mbetje në kontenierë janë ende të hapura dhe do të kenë nevojë që të bëhet paketimi i tyre sipas llojit të mbetjes dhe protokollit përkatës, domethënë në ambalazhe tepër të sigurta dhe që nuk korrodohen nga faktorët atmosferikë dhe nuk lejojnë kullime të mundshme” – argumenton Mazreku për DW.

Sipas Mazrekut, marrja dhe analizimi i mostrave duhet të bëhet nga subjekte të specializuara dhe të licensuara. “Kërkon jo vetëm profesionalizëm, por mbi të gjitha transparencë dhe informim të plotë të publikut dhe të partnerëve ndërkombëtarë” – thekson ajo.

Transparencë kërkoi edhe BAN, por kërkesa e tyre është refuzuar deri tani nga ministria e Mjedisit. “Jemi takuar me zv.ministrin e Turizmit dhe ai nuk pranoi kërkesën tonë për të qenë të pranishëm në marrjen e mostrave nga kontenjerët. Ai na referoi tek prokuroria, e cila po heton çështjen. Ne do t’ia dërgojmë kërkesën prokurorëve” – thotë Puckett.

Hetime ndërkombëtare
Hetimet kanë kaluar këtë herë kufijtë e territorit shqiptar. OLAF, Zyra Anti-Mashtrim e BE-së, duket se është përfshirë në hetimet e ngarkesës me lëndë të dyshuar të rrezikshme. Dokumentacioni shoqërues për eksportin e 2100 tonelatave mbetje, të cilat kanë kaluar tranzit edhe në dy portet europiane, pritet të zbardhë shumë detaje ende të paqarta nga e gjithë kjo histori.

Deutsche Welle kontaktoi zyrën e shtypit të Komisionit Europian, për një koment në lidhje me ngjarjen dhe i pyeti ata nëse institucionet e BE-së janë përfshirë në hetime. Deri në çastin e publikimit të këtij shkrimi, KE nuk iu përgjigj interesit tonë.

“Direktivat e BE-së, gjithnjë e me shumë po bëhen më të rrepta në lidhje me eksportin e këtyre mbetjeve drejt vendeve jo-BE, që nuk kanë kapacitetet për riciklimin apo trajtimin përfundimtar të tyre, duke e ndaluar plotësisht një gjë të tillë. Dhe besoj biem të gjithë dakord që Shqipëria kërkon të jetë pjesë e BE-së jo vetëm me fjalë por dhe me vepra” – thotë Mazreku./DW

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re