Nën mbrojtjen e forcave izraelite, 1.531 kolonë hebrenj kryen bastisje në oborrin e Xhamisë Al-Aksa, e cila ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim.

Kolonët hebrenj vazhdojnë bastisjet e tyre kundër Xhamisë Al-Aksa për shkak të festës “Pesach” që përfshin periudhën 5-13 prill.

Policia izraelite edhe sot mori nën mbrojtje grupet e kolonëve hebrenj që hynë në oborrin e Xhamisë Al-Aksa, ndërkohë shumë policë rrethuan Xhaminë e Kibles në të cilën kryejnë adhurime muslimanët.

Në një deklaratë nga Administrata e Vakëfeve Islame të Palestinës e cila është përgjegjëse për Xhaminë Al-Aksa, thuhet se në bastisje morën pjesë 1.531 kolonë hebrenj të përbërë nga 23 grupe të ndryshme.

Muslimanët e pranishëm gjatë hyrjes së kolonëve hebrenj në objektin e Aksasë, protestuan ndaj bastisjes përmes tekbireve.

Një grup palestinezësh dhe muslimanësh nga vende të ndryshme përfshirë edhe turq, falën namazin me xhemat në pikën ku kaluan kolonët hebrenj.

Ndërhyrja e policisë izraelite dy net njëra pas tjetrës duke përdorur forcë joproporcionale me bomba zëri, plumba plastik dhe shkopinj gome ndaj muslimanëve në Xhaminë Al-Aksa, përshkallëzoi tensionet në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor nën pushtim.

– Thirrjet për “bastisje ndaj Aksasë” gjatë Festës “Pesach”

Kolonët hebrenj rritën thirrjet e tyre për bastisje kundër Xhamisë Al-Aksa gjatë festës “Pesach” më 5-13 prill.

Ndërsa palestinezët që e prisnin bastisjen në këtë periudhë, u bënë thirrje muslimanëve për itikaf në Xhaminë Al-Aksa gjatë muajit të ramazanit.

Ndërkohë, 15 rabin hebrenj fanatikë i shkruan një letër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, në të cilën i kërkuan që të lejohen kolonët hebrenj të presin kurbane në Xhaminë Al-Aksa gjatë festës “Pesach”, si dhe rekomanduan që të jepet çmim në vlerën 5.500 dollarë për ata që arrijnë të presin kurban.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re