-Shqipëria miraton buxhet shtesë për pajisjen me dronë nga Turqia

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në seancën e fundit të para pak ditëve aktin normativ në lidhje me ndryshimet në buxhetin e shtetit për vitin 2021 për fondin shtesë me qëllim pajisjen me dronë nga Turqia dhe financimin e fushatës së vaksinimit anti-COVID-19.

Akti në fjalë i cili përcakton ndryshimet në buxhetin e shtetit u miratua me 82 vota pro, 9 kundër dhe 4 abstenim.

Akti normativ i miratuar nga Qeveria e Shqipërisë më 22 qershor të këtij viti dhe i publikuar edhe në Fletoren Zyrtare parashikon shtesën në buxhet prej mbi 8 milionë euro për projektin prioritar të Ministrisë së Mbrojtjes për pajisjen me dronë, sipas qeverisë “në kuadër të marrëveshjes me Turqinë dhe masave për rritjen e kontrollit të territorit dhe sigurisë kombëtare në tërësi”.

Përmendim se në fillim të muajt qershor të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, së bashku me disa ministra të kabinetit qeveritar realizoi një vizitë në Turqi, ku ndër të tjera ai theksoi se pjesë e bashkëbisedimeve me sipërmarrjet e ekselencës turke ishte edhe për sistemin e kontrollit të territorit shqiptar me dronë superinteligjentë, sipas tij, për prodhimin e të dhënave në kohë reale mbi rrugët, bregdetin, tokën bujqësore, pyjet dhe rendin publik.

Po ashtu kujtojmë se ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi, vizitoi në Turqi fabrikën “Baykar Defense”, e specializuar në prodhimin e dronëve të teknologjisë së lartë, për të vlerësuar sipas tij “mundësinë e përdorimit të këtyre pajisjeve edhe në Shqipëri për qëllime civile e urbane të kontrollit dhe mbrojtjes së territorit”.

Sipas autoriteteve shqiptare dronët do të monitorojnë territorin në kohë reale për të gjitha ato çështje që janë në interes, që nga ndërtimet pa leje, tek qarkullimi, bujqësia dhe pyjet.

Gjithashtu gjatë seancës parlamentare u miratua edhe një buxhet shtesë prej mbi 8 milionë euro për fushatën e vaksinimit kundër kornavirusit e cila vazhdon aktualisht.

-Shqipëria merr pjesë në stërvitjen “Anadolu-21”

Stërvitja e Forcave të Bashkuara Speciale “Anadolu-21”, e cila zhvillohet nën organizimin e Komandës së Forcave Speciale të Turqisë, vazhdon me pjesëmarrjen e “Forcave Speciale” nga 7 vende.

Stërvitja e Forcave të Bashkuara Speciale “Anadolu-21” , e cila ka filluar më 28 qershor vazhdon me pjesëmarrjen “de facto” të elementëve të forcave speciale të Turqisë, Shqipërisë, Azerbajxhanit, Katarit, Kazakistanit, Pakistanit dhe Uzbekistanit, ndërsa edhe me pjesëmarrjen si vëzhgues të Kosovës dhe Mongolisë.

Stërvitja nën organizimin e Komandës së Forcave Speciale të Shtabit të Përgjithshëm të Turqisë, zhvillohet në Ankara me qëllimin për të zhvilluar miqësinë, bashkëpunimin dhe koordinimin ndërmjet elementëve të Forcave Speciale, për të ndarë informacionin dhe përvojën reciproke si dhe zhvillimin e aftësisë për të kryer operacione së bashku.

-Aeroporti i ri i Kukësit do të hapë fluturimet me Stambollin dhe me Zyrihun duke filluar nga data 15 korrik.

Kompania ajrore kombëtare “Air Albania”, në parteneritet me Turkish Airlines  ka njoftuar se në datë 15 korrik linja nis fluturimet nga aeroporti ndërkombëtar i Kukësit “Zayed”, Flatrat e Veriut.

Sipas njoftimit, destinacionet e para që do të nisin udhëtimet nga ky aeroport janë Zyrihu dhe Stambolli duke filluar nga 1 euro + taksat.

Lajmin e ka dhënë kryeministri shqiptar Rama në facebook. Rama shkruan ndër të tjera se fluturimet do të kryehen nga kompania Air Albania dhe çmimet e biletave do të fillojnë nga 1 euro.

Për udhëtimet në Stamboll çmimi i biletave do të jetë 12 euro, ndërsa nga Stambolli në Kukës, 23 euro. Rama ka njoftuar më herët se aeroporti i Kukësit do të certifikohet më 17 qershor, si aeroport ndërkombëtar.

Më 18 prill, në aeroportin me emrin zyrtar Zayed-Flatrat e Veriut, u ul avioni i parë me pasagjerë, i cili ishte ngritur nga aeroporti “Nënë Tereza” në Rinas.

-Në Spitalin Memorial të Fierit të financuar nga Turqia zgjerohen shërbimet spitalore

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Çështjeve Sociale të Shqipërisë, Ogerta Manastirliu është deklaruar në rrjetet e saja sociale se: “Shumë e kënaqur që takova ekipin e ri mjekësor dhe infermieror të ardhur nga Turqia, që sapo i janë bashkuar super stafit shqiptaro-turk në Spitalin Memorial të Fierit, ku po zgjerohen shërbimet me standarde bashkëkohore për qytetarët e rajonit të jugut.

Është hapur rishtazi reparti i ORL, me mjekë turq dhe shqiptarë, po bëhen përgatitjet e fundit për shërbimin e pneumologjisë, atë të infektivit dhe së shpejti do të jetë gati kabineti modern i angiografisë, për realizimin e procedurave kardiake me aparatura të teknologjisë së lartë dhe staf super të kualifikuar”, është shprehur Manastirliu.

Ndërsa, në lidhje me hapjen e repartin të monografisë, ministrja është shprehur:

“…Jam e kënaqur që rikthehem në spitalin e Fierit me një tjetër premtim të mbajtur. Investimi për mamografinë e re ka siguruar një shërbim shumë të nevojshëm për diagnostikimin e hershëm të kancerit të gjirit tek gratë e kësaj zone.

Një tjetër investim i rëndësishëm që ka ndryshuar radikalisht shërbimin në këtë spital, është shërbimi i ri i laboratorit, i cili ka garantuar rritjen me disa herë të gamës së analizave falas, me standard të njëjtë, si në spitalet universitare të Tiranës…”.

Nga ana tjetër, institutet turke “Yunus Emre” në Shkodër dhe në Tiranë janë angazhuar të fillojnë së shpejti kurse të turqishtes për stafin e Spitalit të Miqësisë Turqi-Shqipëri “Memorial”.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri-

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re