Policia Kufitare e Kakavijës ka arrestuar një shtetas Italian, pasi u kap me 19.450 euro të pa deklaruara në kufi.

 

Në një njoftim për media, policia bën me dije se i arrestuari është shtetasi me iniciale G.C 53 vjeç, me banim në Itali.

 

Ndaj këtij të fundit, rëndon vepra penale , “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

 

Njoftimi i policisë:

 

Kakavijë / Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi.

 

Sekuestrohen 19.450 euro, procedohet penalisht shtetasi italian i cili nuk deklaroi shumën e të hollave në PKK Kakavijë.

 

Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, motomjetin tip “Hyundai”, me drejtues shtetasin italian G. C.

 

Gjatë kontrollit të ushtruar në motomjetin e tij, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 19.450 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

 

Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. C., 53 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re