Reth 24 mijë veshje nga marka të njohura sportive janë bllokuar nga dogana në Kukës, pasi dyshohen se janë të falsifikuara. Këto produkte dyshohen se përbëjnë imitime të paligjshme të markave origjinale, duke shkelur të drejtat e kompanive.

Dogana sqaroi se masa e pezullimit është marrë me qëllim parandalimin e hyrjes në treg të këtyre produkteve për shitje.

Mallrat e bllokuara janë 1,974 kostume sportive me markën Macron dhe mbishkrimin FSHF, 1,411 bluza sportive Macron me po të njëjtin mbishkrim, 370 kostume sportive Adidas me mbishkrimin REAL MADRID, 294 kostume sportive Nike me mbishkrimin BARCELONA. Po ashtu janë bllokuar edhe 11,000 etiketa me logon LACOSTE dhe 9,000 etiketa me logon POLO.

‘Këto mallra u pezulluan me datë 22.06.2025 në Degën e Doganës Kukës me qëllim parandalimin e hyrjes në treg të produkteve që mund të përbëjnë shkelje të këtyre të drejtave dhe për të garantuar zbatimin efektiv të legjislacionit në fuqi në fushën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale’, thuhet në njoftim.

Në një njoftim, Administrata Doganore riafirmoi vendosmërinë për të luftuar me rigorozitet çdo përpjekje për të futur në treg mallra të falsifikuara, duke garantuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesave të ligjshme të kompanive dhe konsumatorëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko