Skip to content

Mbi 30 mijë vizitorë gjatë korrikut në Berat, kryesojnë turistët nga Europa Qendrore dhe Lindore

 

Turizmi kulturor në Berat është në rritje dhe shifrat janë optimiste, ndërkohë që dominojnë turistët nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore.

Sipas drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani, gjatë muajit korrik, Beratin e vizituan rreth 30 034 vizitorë.

Edhe pse jemi akoma shumë larg nga shifrat e vitit 2019, Kallfani shpreh bindjen se “tashmë rimëkëmbja e gjatë, por e qëndrueshme e fluksit të vizitorëve vazhdon”.

Sipas tij, “e veçanta e këtij viti është larmishmëria e kombësive nga e gjithë bota edhe pse deri tani dominojnë vendet e Europës qendrore dhe lindore”.

“Berati është vlerë e jashtëzakonshme e Trashëgimisë Kulturore Botërore. Ta mbrojmë e të kujdesemi të gjithë së bashku”, u shpreh Kallfani.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë.