Sot në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme lokale për kryetar bashkie.
Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 të mëngjesit dhe do të vijojë deri në orën 18:00, kjo pasi sipas Kodit Zgjedhor kur data e zgjedhjeve caktohet në periudhën zgjedhore nga 15 tetori deri më 15 nëntor, qendrat e votimit mbyllen në orën 18:00.
Numri total i qytetarëve me të drejtë vote në këto 5 bashki, referuar zgjedhjeve të 11 majit të publikuara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve është 308 mije e 987 zgjedhës.
Përkatësisht në Vlorë janë 160 mije e 424 zgjedhës, në Tepelenë 11 mije e 658 zgjedhës, në Mat 26 mije e 765 zgjedhës, në Cërrik 35 mije e 380 zgjedhës dhe në Berat 74 mije e 760 zgjedhës.
Në total janë 474 qendra votimi dhe 9 Komisione të Zonës së Administrimit Zgjedhor.
Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në 474 qendra votimi në 5 bashki, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.
Të gjithë qendrat e votimit janë të mbuluara me operatorë, të cilët janë trajnuar.
Zgjedhësi do të paraqitet në qendrën e tij të votimit me letërnjoftim ose pasaportë biometrike, për t’u identifikuar përmes pajisjes PEI, ku përveç dokumentit të identifikimit do të lërë edhe gjurmët daktiloskopike (shenjat e gishtërinjve), të cilat do të shërbejnë për evidentuar rastet e votimit të paligjshëm.
Procesi do të monitorohet nga vëzhgues të organizatave vendase dhe ndërkombëtare. Pas mbylljes së qendrave të votimit, do të nisë menjëherë procesi i numërimit të votave.
Gjithashtu edhe Policia e Shtetit ka marrë masa për mbarëvajtjen e këtij procesi. Në total, 612 efektivë dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e qendrave të votimit dhe objekteve të KZAZ-ve, si dhe për shoqërimin e materialeve zgjedhore. Strukturat hetimore do të monitorojnë çdo tentativë për tjetërsimin e votës.



