Koncesioni i rrugës Milot-Fier është kthyer prej më se një jave në qendër të akuzave nga ana e opozitës kryesisht ndaj qeverisë, ndërsa kjo e fundit pasi shprehu publikisht hapjen e tenderit, kaluan disa ditë që nuk u publikuan të dhënat e palëve të interesit ndërsa të enjten e kaluar në fjalën e saj në foltoren e parlamentit, ministrja, Belinda Balluku tha se qeveria kishte vendosur të dëgjonte shqetësimet e opozitës jashtë-parlamentare.

Milot- Fier do të jetë një biznes me të ardhura prej më shumë se 4 miliardë euro në bazë të të dhënave që janë publikuar nga dokumentat zyrtare të tenderit të Ministrisë së Financave. 29 mijë e 800 automjete në dite mendohet se do ta frekuentojnë këtë rrugë, ndërsa është paralajmëruar nga qeveria se do të jetë një kas i tarifuar ku mesatare e përshkimit të 115 kilometrave është 8.6 euro për një drejtim.

Deri në vitin 2040 për një total prej 121 milionë eurosh, ka marrë përsipër qeveria shqiptare të garantojë në lidhje me trafikun e munguar ndërsa koncesioni zgjat 35 vite, ku duke filluar që me vitin e parë te operimit në 2024, koncesionari do të arketojë mbi 60 milionë euro.

Ndërkohë, nga përmbledhja e shifrave, deri në vitin 2055, koncesionari do të fitojë 3 herë më shumë se sa i ka kushtuar për investimin, thënë me shifra, mbi 4 miliardë euro kjo duke përllogaritur kryesisht të ardhurat vjetore.

I gjithë aksi Milot-Fier është parashikuar të jepet me kontratë partneriteti Publik Privat ndërsa do të ndahet në 6 segmente. Ashtu sikurse është artikuluar shpesh ditët e fundit, një pjesë e këtij segmenti prej 115 kilometrash është e përfunduar dhe ai që do të ndërtohet tërësisht i ri do të jetë segmenti Thumanë-Luz i Vogël me një gjatësi prej 1.2 miliardë eurosh, një kosto marramendëse për ekonominë shqiptare por edhe sa i përket krahasimeve që janë bërë me rrugët e ndërtuara më herët apo ato që ndërtohen në vendet e BE-së.

Trafiku nga i cili është parashikuar të vjelë të ardhura koncesionari, është krahasuar me atë ekzistues, e nëse shifrat do të jenë të njëjta, për rreth 30 vite ai do të fitojë 4 miliardë euro ndërkohë përdorimi i këtij aksi parashikohet të jetë i detyrueshëm pasi nuk ka rrugë alternative.

Ideja për të ndërtuar një rrugë dytësore, është sërish një barrë e lartë për buxhetin e shtetit, e për rrjedhojë, nëse ky projekt vihet në zbatim dhe përfundon në afate por edhe respektohen kriteret që janë përcaktuar, do të futet në historinë e vendit si rruga më e shtrenjtë që është ndërtuar.

Sipas PD-së, rruga me gjatësi 115 km nga të cilat 62 km janë të përfunduara, është një koncesion fitues i paracaktuar dhe bëhet fjalë për kompaninë GEK Terna, ndërsa shqiptarët sipas Tabakut do të paguajnë për 35 vjet me radhë PPP-në e radhës.

“Rruga 1.2 miliardë euro, Milot-Fier, e gjatë 115 km, ku 62 km janë të përfunduara, është koncesion me fitues të paracaktuar. Ajo është kompania greke GEK Terna. Gjithçka tjetër është gënjeshtër për të mbuluar hajdutin, siç ka ndodhur këto 7 vjet me çdo projekt PPP, të ideuar dhe zbatuar nga Rama. Një tjetër histori vjedhje me një barrë në kurrizin e shqiptarëve të varfëruar që do të paguhet për 35 vjet me radhë si PPP. Fakte të reja pse fituesi është paracaktuar.”, thotë PD.

Ndërkohë, ministrja Belinda Balluku ka dhënë sqarimet e saj në lidhje me tenderin në fjalë, si dhe ka treguar arsyet pse tha disa ditë më parë se gara do të hapej publikisht ndërkohë që në faqen e tenderimeve nuk ekziston një publikim i tillë.

Balluku tha se ka gjetur mirëkuptimin e kryeministrit u ka kërkuar ekspertëve të ndalonin për ë dëgjuar me vëmendje thekson ajo, deklaratat që u bënë mbi këtë tender, si dhe ka analizuar se ‘mos ndoshta kishit ndonjë fije të vërtetë’. Balluku nga ana tjetër ka akuzuar opozitën se ka fryrë shifrat dhe çmimet duke paralajmëruar se këtë çështje do ta zgjidhë gjykata (Lexo lajmin)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re