“Shumë e gëzuar isha. Sepse Deani lindi një fëmijë shumë i shëndetshëm dhe të gjithë më thonin se nuk ka mundësi që ai të ketë lindur i sëmurë. As unë vetë nuk e besoja e thoja mbase gënjejnë dhe mjekët… Por e vërteta ishte krejt ndryshe.
Për mua si nënë është shumë e dhimbshme. Deani më shumë njeh spitalin, sesa shtëpinë e tij. 10 ditë në shtëpi, dy apo tre muaj këtu. Si kemi bërë as 1 vit në shtëpi. Nuk ka shijuar asnjëherë fëmijërinë, më thotë nuk luaj dot, unë jam i sëmurë”
Këto ishin fjalët e Evës për emisionin Shqiptarët për Shqiptarët, një nënë që përballej me dhimbjen më të madhe. Trupi i djalit të saj 9 vjeçar kishte përballuar 20 ndërhyrje. Sërish, jeta e tij po shuhej.
Vogëlushi kishte nevojë urgjente për një transplant të veshkës e rindërtimin e plotë te fshikëzës, orvatje që familja nuk mund t’i përballonte.
Por lotët e kësaj nëne, nuk ishin vetëm të sajat. Dhjetëra mijëra shqiptarë po ashtu derdhën lot për 9 vjeçarin, një gonxhe trëndafili, siç do të thoshte gjyshja e Deanit.
Reagimi i shqiptarëve ishte i jashtëzakonshëm. Në kohë rekord, vogëlushi u nis drejt një prej spitaleve më të mira italiane për fëmijë. E teksa emisioni lajmëroi për largimin e tij për kurim, mbi 40 mijë persona, u lutën për shërimin e tij.
Tashmë kanë kaluar disa muaj dhe duket e pabesueshme. Deani mund të buzëqeshë si të gjithë fëmijët e tjerë. Është plotësisht i shëruar dhe në gjendje shumë të mirë shëndetësore… e kur e sheh tani Deanin, një buzëqeshje ta ‘gjen’ fytyrën.
.