Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu gjatë fjalës së saj në aktivitetin e organizuar nga ‘Urdhri i Infermierëve’, në kuadër të Ditës Botërore të Infermierëve, vlerësoi rolin e infermierëve në sistemin shëndetësor dhe foli për punësimin e tyre me meritë.

“Portali Infermierë për Shqipërinë nga 2018, ka ndryshuar tërësisht qasjen por edhe besimin e infermierëve në proçesin e rekrutimit apo të punësimit nëpërmjet një mekanizmi transparent, meritokratik, ku deri më sot nëpërmjet këtij portali, janë punësuar mbi 4400 infermierë dhe profesionistë të shkencave teknike mjekësore. Janë mbi 2 mijë infermierë, teknikë laboratori, fizioterapistë, logopedistë, të cilët janë në portal dhe që presin të përfshihen në strukturat tona të shëndetësisë”, u shpreh Manastirliu.

Në fjalën e saj, Manastirliu bëri me dije se duke filluar nga viti ardhshëm akademik do të ketë një rritje të kuotave të reja në Fakultetin e Shkencave Teknike Mjekësore për infermierinë.“Po rrisim kuotat për studentët e mjekësisë por edhe për studentët e infermierisë. Ne duke filluar nga viti i ri akademik 2022-2023 për Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, do të rritet me 100 kuota të reja në Fakultetin e Mjekësisë dhe me 100 kuota të reja në Fakultetin e Shkencave Teknike Mjekësore për infermierinë. Ky është një hap i parë, por është një vizion në fakt i cili do të përkthehet në çdo vit me rritjen e numrit të kuotave”, bëri me dije Manastirliu.

Duke folur për autobominë spitalore, Manastirliu tha:

“Autonomia spitalore është modeli i cili do të krijojë në sistemin spitalor hapësira të reja të administrimit dhe menaxhimit të burimeve financiare dhe njerëzore në spitale. Do të ketë një mundësi që nëpërmjet kartës së autonomisë spitalore çdo spital të ofrojë pagesa dhe incentiva financiare për performancë. Sepse nuk mund të trajtohen të gjithë njësoj dhe të futen të gjithë infermierët dhe mjekët në një kategori. Por duhet të ketë përshkallëzime, sipas detyrave që kryejnë, sipas ngarkesës që ata kanë, sipas volumit që ata administrojnë të punës në spitale”, tha Manastirliu.

 

Në sistemin shëndetësor publik në Shqipëri aktualisht janë mbi 13 mijë infermierë dhe profesionsitë të shkencave teknike mjekësore. Përmes Portalit “Infermierë për Shqipërinë që nga viti 2018 janë punësuar mbi 4400 infermierë, ndërkohë që mbi 2 mijë janë në listë pritjeje për t’u punësuar në sistemin shëndetësor publik.