Nga: Sali Shasivari

Debatet konstruktive të llojit ‘pro-et-contra’ janë domosdoshmëri e çdo shoqërie të hapur dhe demokratike, për aq sa të njejtat zhvillohen në suaza të rregullave të njohura të debatit dhe polemizimeve, profesionalizmit, përgjegjësisë moralo-etike, respektimit të mendimit të palës kundërshtare, e mbi të gjitha, respektimit të auditoriumit të gjerë si dhe inteligjencës dhe ndjenjave të tyre…

Mirëpo, kur debatet bëhen pa norma, pa kritere, pa përmbajtje, pa kuptim, pa mesazhe…; kur debatet shndërrohen në biseda të kota dhe në ‘fenomene zhurmuese’, ku secili flet e asnjëri nuk dëgjon…; kur nëpër debate përsëriten po të njejtat biseda, me të njejtët ‘akterë gjithologë’, të ashtuquajtur “opinionistë” dhe “analistë”…; dhe kur këto debate banalizohen deri në atë masë, sa që, të njejtat, përpos linçimeve personale të llojit ‘ad-hominem’, ato marin përmasa të kulturocidit dhe anatemimit të pjesës dërrmuese të popullit të cilit i përkasin… Në raste të këtilla, nuk bëhet fjalë për debate, por bëhet fjalë për ‘propagandë gebelsiane’ sistematike…!

Së këndejmi, si të tilla, këto “debate”, nuk janë të rastësishme, por, përkundrazi, ato janë të qëllimshme, me paramendim, mirë të menduara, dhe mirë të planifikuara…; dhe, se, të njejtat, kanë për qëllim ‘përzierjen e letrave’, mbjelljen e dyshimeve dhe hutisë, përhapjen e dezinformatave dhe të pavërtetave, anatemimin e personave dhe grupeve të caktuara, si dhe demonizimin e një feje të caktuar dhe pjestarëve të saj (gjegjësisht, Islamit dhe muslimanëve)…!

Pikërisht nga ky spektër duhet shikuar shumicën e të ashtuquajturave ‘emisione debative’ gjithandej nëpër ‘shqipëritë’ tona, e me theks të veçantë në ‘mëmëdhenë’ Shqipëri… Madje, për fat të keq, ‘produkti’ i vetëm i cili ‘eksportohet’ nga ‘mëmëdheu’ Shqipëri, dhe ‘plasohet’ nëpër ‘tregjet’ e pjesëve tjera të cunguara dhe të dërrmuara të trupit shqipëtar (d.m.th. Kosovë, Maqedoni, e gjetiu), janë pikërisht këto emisione (lexo: misione) “debative”, si dhe disa emisione dhe ‘marifete’ tjera degjeneruese…!

Nuk ke se si e shpjegon ndryshe fenomenin e numrit enorm të radio-televizioneve që ekzistojnë në trojet shqiptare (shumica prej tyre investime kapitale qindra-millionëshe…), e, të cilat, janë në disproporcion të plotë me numrin e popullatës dhe realitetin socio-ekonomik të këtyre trevave…!

Poashtu, nuk ke se si e shpjegon ndryshe numrin enorm të ‘emisioneve debative’, si dhe paraqitjen e vazhdueshme të po të njejtave ‘fytyra të neveritshme’ të disa ‘misionarëve’ dhe ‘avokatëve të dreqit’, të cilët, herë në formë ‘monologe’, herë në formë dialoge, e herë në formë polemizuese, “kualitet” dhe ‘konstantë’ të tyre të vetme e kanë ‘vjellaninë’ anti-muslimane dhe anti-turke, edhe atë, rëndom, duke u paraqitur si ‘më katolik se papa’, dhe ‘më shka se shkjau’…!

Për më tepër, nuk ke se si e shpjegon ndryshe nivelin e rrogave / të ardhurave astronomike që ju jepen disa ‘palo-gazetarëve’, ‘palo-opinionistëve’, dhe ‘palo-analistëve’ shqiptarë (kjo, duke u bazuar së paku në figurat e të ardhurave të disa sosh prej tyre, të cilat u publikuan në Shqipëri në Dhjetorin e kaluar)…; rroga dhe të ardhura këto, për të cilat, do t’ua kishin zili edhe kryeredaktorët më të mëdhenj të konglomerateve më të mëdha mediatike të botës së zhvilluar…!

Në saje të kësaj që u tha, nuk duhet të na habitë fakti se pse po derdhet i gjithë ky mllef, urrejtje dhe vrer me rastin e vizitës së fundit të presidentit turk – zotëri Rexhep Tajip Erdogan – në Shqipëri para disa ditësh…, duke ‘gjuajtur me gurë’ ndaj dikuj që ‘gjuan me bukë’…!

Mbase, nuk është hera e parë që këto shpirtligë dhe shpirtshitur – si dhe pronarët e tyre – po e alarmojnë situatën aq shumë, si dhe po e ‘elektrizojnë’ opinionin publik shqiptar deri në ato përmasa, sa që, thuajase në Shqipëri ka zbritur për vizitë ‘Antikrishti’…! E gjithë kjo, gjithmonë në stilin e njohur ‘alla-shqiptarçe’, me çrast, si rezultat i krizës identitare prej së cilës vuajmë si popull tashmë disa dekada, neve aq shumë na janë përzier gjërat dhe na janë bërë lëmsh, sa që, ‘sa herë që na rreh shkjau, ne e shajmë turkun’…!

Kështu për shembull, këta ‘avokatë të dreqit’, jo vetëm që nuk ‘bëzajnë’ ndaj çfarëdo përfaqësuesi tjetër të huaj, qoftë edhe nëse i njejti nuk le gjë të zezë pa thënë për Shqipërinë dhe shqiptarët (siç ishin deklaratat e paradokohshme të presidenti francez Emanuel Makron; me ç’rast, jo vetëm që nuk morën guximin që ta kritikojnë, por, përkundrazi, disa sosh prej tyre u ‘hodhën’ në mbrojtje të tij, duke ‘mallkuar gjakun dhe fisin e vet’)…; por, këta ‘mercenarë’ dhe këta ‘vasalë’ nuk marin guximin që të thonë as çerekun e asaj që thonë për presidentit turk Erdogan, kur zbret – fjala vjen – për vizitë në Tiranë ‘ministri i propagandës’ së ‘kasapit të Ballkanit dhe shqiptarëve’ (kriminelit Sllobodan Millosheviç), presidenti aktual serb, Aleksandër Vuçiç…; apose, kur – bie fjala – Tiranën Zyrtare e viziton ndonjë përfaqësues grek (shteti i të cilit jo vetëm që ka masakruar qindra mijëra shqiptarë dhe ka uzurpuar mijëra hektar territor shqiptar, por i njejti shtet është ende në ‘gjendje lufte’ me Shtetin Shqiptar)…! Kjo, ngase, siç thotë populli, ‘qeni, aty ku ha, aty edhe leh’…!

E, të mos flasim për – ‘larg qoftë’ – ndonjë kritikë eventuale e cila mund të drejtohet në adresë të Kryepeshkopit të Kishës Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos (i lindur grek), dhe komunitetit shqiptar ortodoks në përgjithësi…; apose, Kardinalit të Kishës Katolike Romake në Shqipëri, si dhe komunitetit shqiptar katolik në veçanti…; me ç’rast, do të bëhej ‘hataja’…!

Ndërsa, kur është në pyetje komuniteti musliman shqiptar, në këtë rast, lejohet gjithçka, duke filluar nga tallja, përçmimi, akuzat, stereotipizimet, anatemimi, stigmatizimi, demonizimi, linçimi, etj… e, deri te thirrjet për dëbim dhe eksterminim të tyre…! Madje, e gjithë kjo, nën slloganet dhe parullat tashmë të njohura të ‘harmonisë ndërfetarë’ dhe ‘tolerancën ndërkonfesionale’ shembullore shqiptare…!

Në saje të kësaj që u tha më lartë, ‘nuk duhet shumë mend’ për të kuptuar se kush po e cenon ‘harmoninë ndërfetarë’ dhe ‘tolerancën ndërkonfesionale’ shembullore shqiptare…, dhe, kush është katandisur që të prishë ‘indin’ e bashkëjetesës shqiptare… (e që janë pikërisht këto persona dhe qarqe që po nëpërkëmbin çdo shenjtëri, dhe që i fryejnë zjarrit të urrejtjes)… Si dhe, në anën tjetër, kush është më meritori për një harmoni dhe tolerancë të këtillë, si dhe kontribuesi më i madh në ruajtjen e ‘indit’ të kombit shqiptar… (e që është pikërisht komuniteti musliman shumicë shqiptar).

Mbase, edhe kjo është e kuptueshme…!

Por, ajo që është e pakuptueshme, është pyetja se, kjo shumicë muslimane, a thua vallë deri kur do të vazhdojë të sillet si ‘shurdhmemeci në dasëm’, duke luajtur rolin e publikut pasiv përpara ekraneve të studiove “debative”, në të cilat nëpërkëmbet gjithçka që ka të bëjë me identitetin, shenjtëritë, dhe kulturën e tyre kombëtaro-fetare…?!

Madje, në këtë kontekst, ajo që është edhe më ironike dhe më absurde, është fakti se, ndonëse retorika anti-islame dhe anti-muslimane është shndërruar në praktikë të përditshme nëpër masmediat shqiptare, komuniteti musliman shqiptar duket se është bërë aq imun ndaj tyre, sa që, rastet e vetme në të cilin i kujtohet të reagojë më zëshëm ndaj një retorike të këtillë, janë vizitat e presidentit Erdogan në Shqipëri, me ç’rast, kjo retorikë arrin kulminacionin…!

Të ngratët muslimanë shqiptarë – së paku shumica e tyre – ende nuk e kanë kuptuar se, retorika anti-osmane, anti-turke, dhe anti-Erdogan, në brendësi ngërthen një urretje tjetër më të thellë, e, që ka të bëjë me përkatësinë fetare islame të shumicës së popullit shqiptar…; urrejtje kjo, e cila, shpërfaqet në forma dhe trajta të ndryshme…; e, që, me rastin e ‘efektit Erdogan’, merr intenzitet të skajshëm…!

Së këndejmi, është koha e fundit që komuniteti musliman shumicë shqiptar (këtu nuk kam për qëllim detyrimisht organin zyrtar, KMSH, e aq më pak atë aktual) në përgjithësi të zgjohet nga gjumi letargjik, dhe një herë e përgjithmonë ta kuptojë realitetin e rrjedhave aktuale dhe rrezikshmërinë e të njejtave…; si dhe, të krijojë platforma të mirëfillta dhe profesionale mediatike, të cilat do ta përçonin mesazhin e së vërtetës dhe do ta përshkruanin realitetin faktik, larg nga lajmet e rrejshme dhe dezorientuese, si dhe larg nga debatet shterpe dhe destruktive…

Për më tepër, ky komunitet duhet të japë maksimumin në përcjelljen, regjistrimin, raportimin, demaskimin, dhe denoncimin e një retorike të këtillë absurde dhe idioteske… bile, nëse e do nevoja, deri në përmasa të ndjekjes ligjore dhe penale ndaj të gjithë atyre që marrin guximin që të tallen me një komunitet shumicë, dhe me ‘shenjtëritë’ e tij…!

Përndryshe, nëse komuniteti musliman do të vazhdojë të mjaftojë vetëm me punën dhe kontributin e tij në sferën humanitare (obligim dhe angazhim këtë të cilin po e kryen në mënyrën më njerëzore, më të dinjitetshme, më kombëtare, dhe në formën më të mirë të mundshme), atëherë, ky komunitet, nuk duhet të habitet kur ‘dora e tij’ – përmes së cilës ushqen – ‘kafshohet’…!

Andaj, kujdes…!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re