Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka qëndruar në ambientet e SPAK për rreth dy orë ku është thirrur në lidhje me çështjen CEZ-DIA. Në përfundim, Meta tha për gazetarët se ai nuk është i përfshirë dhe se nuk ka asnjë akt të firmosur nga ai në interes të askujt.

Ilir Meta u shpreh se ishte në SPAK, si një person që ka dijeni për rrethana të ngjarjes, ndërsa theksoi se u pyet për detaje të ndryshme, që nuk kanë ndonjë rëndësi.

Meta përsëriti edhe njëherë se personi që ka bërë kallëzimin është një person që është dënuar, madje u shpreh se ai nuk e ka përmendur emrin e tij, por thjesht perdoret nga regjimi per shpifje.

“Një person që ka qenë punonjës i DIA-s, tani është punonjës i OSHEE dhe përdoret nga regjimi për shpifje. Një person që ka dhene në gjykatë një dëshmi, ku asgjëkund nuk ka përmendur emrin time.

Ata kanë bërë pyetjet e tyre, përgjigja ime është ajo që ka qenë më parë do ta them përsëri nuk ekziston asnjë akt, asnjë shkresë, asnjë dokument, asnjë urdhër, asnjë iniciativë për ligje, akte nën ligjore nga Ilir Meta si zv.kryeministër apo si ministër i Ekonomisë në interes të askujt, përfshirë këtu edhe DIA, përfshirë edhe CEZ. Madje ministria e Ekonomisë si pronare e 100% të aksioneve të KESH e ka denoncuar vendimin e ERRE-s, që favorizon CEZ për blerjen e çmimit të energjisë në dëm të KESH dhe konsumatorëve shqiptarë.

Unë isha si një person që ka dijeni për rrethana të caktuara. U pyeta për detaje të ndryshme, të cilat nuk kanë asnjë rëndësi”, tha Ilir Meta.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re