Nga Sali Shasivari
Në këtë periudhë të ngjarjeve dhe debateve të shumta të cilat po ndodhin në nivel ndërkombëtar, rajonal dhe lokal, ku, në mes tjerash, një nga boshtet e bisedave është (mos)zgjidhja e çështjes shqiptare në përgjithësi, (mos)zgjidhja e statusit të Kosovës në veçanti, si dhe (mos)qasja ndaj sfidave dhe problemeve shqiptare nëpër ‘shqipëritë ‘ tona me theks të veçantë… Dhe, në momentin kur pritjet janë që i gjithë faktori shqiptar – qoftë ai politik, diplomatik, intelektual, mediatik, civil, etj. – të jetë i mobilizuar si asnjëherë më parë, me qëllim të artikulimit të drejtë dhe të denjë të çështjes shqiptare, insistimit për kthimin e të drejtave të natyrshme historike, si dhe realizimin e aspiratave për dinjitet, sovranitet, stabilitet dhe prosperitet…
Në këto momente kyçe dhe historike, faktori shqiptar – në përgjithësi – karakterizohet me paradokse, turp, dhe mjerim të gjithanshëm, në të gjitha aspektet, duke qenë i përçarë, i fragmentuar, i paorganizuar, i defokusuar, i dobët, inferior, i hutuar, i nënshtruar, i dorëzuar, i kompleksuar, i servilosur, i korruptuar, i degjeneruar, etj.; bile-bile, pa identitet, pa plan, pa strategji, pa taktika, pa punë, pa angazhime, pa veprime, pa orvatje, pa tentime, pa rezultate, pa shpresë, dhe pa perspektivë…!
Përkitazi me këtë që po them, mjafton të sjellim ndërmend vetëm tri ngjarje të fundit, për të kuptuar paradoksin, turpin, dhe gjendjen e mjerueshme në të cilën gjenden shqiptarët dhe ‘shqipëritë’ tona aktualisht…
Kështu:
– Në momentin që në shumë kryeqendra botërore kishim protesta qindra mijëshe dhe milionëshe – siç ishte rasti me Londrën, ku kam qenë pjesëmarrës dhe dëshmitar okular – kundër instrumentalizimit të krizës pandemike aktuale për qëllime dhe agjenda të ndryshme djallëzore, duke përfshirë këtu kufizimin e lirive dhe të drejtave të shumicës së popullatës, krizat e sajuara politiko-ekonomike, agjendat e ndryshme anti-njerëzore, etj…. Në këto momente, kryeqendrat e shqiptarisë, përreth faktit që ‘kundërmojnë’ nga probleme jetike serioze në të gjitha sferat e jetës, këto kryeqendra ishin katandisur me ‘parada krenarie’ (lexo: parada turpi) të një pakice të margjinalizuar dhe të degjeneruar, kundrejt vlerave të shumicës dërrmuese, siç është vlera e moralit, sedrës, familjes, etj. …!
– Në momentin kur klasa aktuale politike kosovare përgatitej të (ri)fillojë dialogun Kosovë-Serbi… Në këto momente kyçe, klasa politike e shtetit amë (Shqipërisë), në vend që të vejë në dispozicion gjithë peshën e saj politike, diplomatike dhe shtetërore në përkrahje të palës kosovare, si dhe në funksion të ushtrimit të trysnisë ndaj agresorit (palës serbe)…; në këto momente, për ironi të rastit, Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, si për inat të Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, në kryeqendrën shqiptare, në Tiranë, kishte shtruar ‘tapetin e kuq’ për përfaqësuesit serb pjesmarrës në samitin e liderëve të Ballkanit Perendimor, në të cilin, pika kryesore e agjendës ishte plani për ‘Mini-Shengenin Ballkanik’; plan ky, i cili, në mes tjerash, parasheh që ta rehabilitojë Serbinë, dhe t’i mundësojë asaj dalje në detin shqiptar…!
– Në ‘Javën e Solidarizimit me Çamërinë dhe Çështjen Çame’, dhe në momentet kur pritej që të vërshojnë qindra mijëra shqiptarë anekënd shesheve të kryeqendrave të ‘shqipërive’ tona, e, pse jo edhe para ambasadave dhe kufijve grek, me qëllim të denoncimit të masakrave ndaj kësaj pjese të pandashme të popullit shqiptar, si dhe me qëllim të kërkimit të aktualizimit të kësaj çështjeje dhe rehabilitimit të së njejtës… Në këto momente, qendrat kulturore të kryeqendrave shqiptare, në vend të akademive përkujtimore, ekspozitave historike, konferencave historiko-shkencore, dhe evenimenteve kulturoro-vetëdijesuese, ato ishin uzurpuar dhe përbaltur nga ‘aktorët’ e shfaqjes së turpit, të ashtuquajtur ‘Për’puthen’, të cilët ‘kacavjerreshin’ nëpër ballkonet e këtyre qendrave të (jo)kulturës, siç ishte rasti në Tetovë, duke përshëndetur turmat histerike të qindra dhe mijëra të rinjve dhe të rejave shqiptare, të cilët, si të lindur dhe të rritur në vende ku asgjë nuk përputhet në asnjë sferë dhe në asnjë aspekt tjetër, shpresa e tyre e vetme qëndronte tek ëndërra dhe dëshira për t’u bërë pjesë e kësaj maskarade të turpit të ashtuquajtur ‘Për’puthen’, qoftë edhe përmes brohoritjeve dhe duartrokitjeve frenetike dhe të pashpresa…!
Së këndejmi, kur ke parasysh një ‘siret’ dhe pasqyrë të këtillë të gjendjes së mjerueshme të shqiptarëve dhe ‘shqipërive tona’…; në situata të këtilla, përpos slloganit ‘O sa mirë me qenë shqiptar’, gjithçka tjetër duket tejet e zymtë dhe brengosëse…!
Andaj, në realitete të këtilla të hidhura të histerive kolektive, dhe, në momente të këtilla, kur e keqja bëhet më e zëshme, krahasuar me çdo zë tjetër të së mirës, të drejtës dhe shpresës…; është obligim i gjithë atyre të cilët pretendojnë se qëndrojnë në taborin e mbrojtësve të vlerave, që ta ngrejnë zërin e arsyes dhe të veprojnë në promovimin e të njëjtave…
Përndryshe, do të krijohet përshtypja se të gjithë jemi me taborin e ‘histerikëve’, të cilët u përmendën më lartë…!
Madje, kujdes!
Në këtë aspekt, nuk mjafton ngritja e ‘zërit’ përmes postimeve nëpër rrjetet sociale… Porse, ky ‘zë’ duhet të ngritet në po ato platforma prej të cilave e ngrisin zërin e tyre të shëmtuar pjestarët e taborit tjetër…
Po ashtu, veprimtaria jonë pozitive duhet të fokusohet pikërisht në ato sfera, prej të cilave na vijnë këto turpe dhe fatkeqësi!
Përndryshe, në saje të kësaj heshtje, indiference, dhe pasiviteti, të gjithë ne, si kolektiv, rrezikojmë që të identifikohemi me zërat dhe maskaradat e këtilla paradoksale, të turpshme dhe të mjerueshme…; bile-bile, edhe të përfshihemi dhe të gllabërohemi nga të njëjtat!
Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.