Për një personazh show biz-i të quajtur Bienada Nishani, prej kohësh raportohet në media se është mbesa e Bujar Nishanit, ish-presidentit tashmë të ndjerë prej pak ditësh. Por specifikisht nuk është thënë se çfarë ajo e ka ish-kreun e shtetit shqiptar. Gjykuar nga mbiemri i njëjtë, duhet ta ketë xhaxha.

Në raportimet mbi homazhet ndaj Nishanit, i cili ndërroi jetë në Gjermani nga një sëmundje prej së cilës vuante, veçohet fakti se edhe Bienada kreu homazhe pranë trupit të tij të vendosur në hollin e Presidencës.

Një prej mediave e raporton këtë detaj me këtë titull: “Beniada Nishani i jep lamtumirën e fundit ish-presidentit Bujar Nishani”.

Nëse i heq kontekstin e mbesës, nga ky titull shtrohet pyetja se çfarë përfaqëson Bianada aq sa për t’u theksuar homazhi i saj te ish-presidenti i ndjerë. Ndërsa në kontekst të mbesës, Nishani në raport me të nuk është një ish-president por xhaxha i ndjerë.

Pra titulli duhej të ishte: “Bienada Nishani, homazhe te xhaxhai ish-president”.

Këtu lind një çështje tjetër më pas: nëse ajo është mbesa, nuk i takon të bëjë homazhe por të jetë në rreshtin e familjarëve që presin ngushëllime nga ata që bëjnë homazhe. Ndërsa në pamje, Bienada shihet duke u dhënë dorën…familjarëve të saj(!).

Mos ajo vetë ka preferuar të qëndrojë te pozicioni i figurës publike dhe jo i familjares? Vetëm në këtë rast është deri diku i gëlltitshëm titulli “Beniada Nishani i jep lamtumirën e fundit ish-presidentit Bujar Nishani”. /tesheshi.com/    

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re