Prej disa ditësh është bërë e ditur se “Hell’s Kitchen Albania” do të rikthehet në ekranin e Top Channel. Që nga dita e djeshme janë hapur aplikimet, për të gjithë ata që dëshirojnë që të bëhen pjesë e programit më të njohur të kuzhinës.

Renato Mekolli do të jetë sërish në krye të kuzhinës, e kësaj radhe do të jetë “më i ashpër”. Kështu ka zbuluar autorja e programit, Olsa Muhameti, e cila ka shtuar se “edhe mbijetesa për konkurrentët do të jetë e vështirë”. “Shefi sa vjen dhe kërkon më shumë”, tha ajo për Gazeta Shqip.

Autorja e shumë emisioneve të ndjekura në Top Channel, u ka bërë thirrje të gjithëve që të aplikojnë, pasi do të kenë një eksperiencë të paharrueshme.

“Aplikimet janë të hapura dhe i ftoj të gjithë që të aplikojnë. Audicionet do të nisin së shpejti. Kështu që, kushdo që dëshiron të bëhet pjesë e show-t dhe jo vetëm të dijë të gatuaj mirë, është i ftuar që të aplikojë shpejt për një eksperiencë të paharrueshme”, tha Olsa.

Por çfarë do ndodh me emisionet “E Diell” dhe “Shqipëria Live”, ku ajo është autore? Muhameti siguron publikun që dy emisionet e dashura për ta, do të vijojnë transmetimin si gjithmonë në ekran.

“Do vazhdoj që t’i kem të dy programet. U shtua dhe Hell’s Kichen. Janë shumë si projekte, por sigurisht që do kem kohë që t’i bëj të gjitha”, vijoi ajo.

Edhe pse e re në moshë, Olsa Muhametit i janë besuar disa emisione mjaft të rëndësishme. Përveç “E Diell” dhe “Shqipëria Live”, ajo ka qenë autore edhe e “Pushimeve On Top”, që ka thyer rekord shikueshmërie me puntatat e saj të veçanta me bukuritë e rralla të Shqipërisë.

Olsa ka qenë gjithashtu autore e edicionit të parë të “Hell’s Kitchen Albania” që mori menjëherë vëmendjen e publikut, pasi një program i tillë nuk ishte parë asnjëherë më parë në Shqipëri.

Si ndihet ajo që është kaq e re dhe autore e kaq shumë programeve të njohura në televizionin më të madh, Top Channel?

“Kam qenë autore e “Pushimeve On Top”, i cili është edhe programi i parë si autore. Pastaj kam bërë “Hell’s Kitchen” sezonin e parë. Më pas mu besua “E Diell” me dy produkte të reja si “PërPuthen” dhe “Beauty”. Në janar mu besua produkti i ri “Shqipëria Live”, një koncept i dashur për mua dhe i krijua nga unë në mbështetje me drejtuesit. Tani më rikthehet sërish “Hell’s Kitchen”. Është një energji shumë e madhe që harxhoj, por televizioni është pasion. Dhe sa kohë që ti përfshihesh, e gjithë kjo energji që jep dhe merr të mban gjallë. Të paktën kur e ke pasion punën që bën. Të gjithë në këtë moment më thonë ‘si po ja del, a nuk lodhesh’, dhe në fund të ditës unë nuk lodhem nëse produkti për të cilin unë punoj është i suksesshëm”, tha Olsa Muhameti për Gazeta Shqip.

Ndërsa e pyetur nëse ka projekte të tjera në mendje, apo është e fokusuar për momentin në programet që ka, Olsa u shpreh: “Sigurisht që kam, por aktualisht po fokusohem tek këto”.

 

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re