Gjelbërimit të Tiranës i kanë kushtuar kohën e tyre edhe të vegjlit e kryeqytetit. Në kuadër të aktivitetit “Mbill lulen tënde”, nxënës të shkollave 9-vjeçare kanë zhvilluar orë mësimi të hapur në natyrë, duke mbjellë lule në Parkun e Liqenit Artificial.

 

Të vegjlit i shtuan ngjyra, hijeshi dhe oksigjen mjedisit përreth, duke dhënë kështu një mesazh edhe për të rriturit se, “mbjellja e luleve apo pemëve është jetike”.

 

Bashkia Tiranë organizon aktivitete të shumta, gjithnjë e më të shpeshta për edukimin, ndërgjegjësimin e frymëzimin tek brezi i ri mbi bimësinë, mbjelljet e reja të pemëve e luleve, njohjen e mbrojtjen e natyrës, jetesën aktive e të gjelbër.

 

Në kuadër të projektit Orët Edukative, vjen aktiviteti i radhës “Mbill Lulen Tënde”, ku nën kujdesin e agronomëve, fëmijët do të kenë mundësi të mbjellin lule dhe të mësojnë më shumë rreth natyrës, bimësisë dhe të gjitha proçeseve në dobi të rritjes, zhvillimit të fidanëve.

 

Një ditë mësimi ndryshe e mbushur me ndarje njohurish dhe kontakt nga afër me bimët, ndihmon në edukimin e brezit të ri për më shumë dashuri dhe përkujdesje për natyrën dhe mjedisin që na rrethon.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re