Grupi parlamentar i PD-së ka votuar sot unanimisht pro propozimit të kryedemokratit Lulzim Basha për djegien e mandateve.

Në një mbledhje që nisi paraditen e sotme, deputetët kanë qenë njëzëri dakord me kreun e partisë, për të djegur mandatet e tyre në Kuvend.

“Në mbledhjen e zhvilluar pa media, Basha ka deklaruar para deputeteve se “duhet të jenë me qytetarët, të cilët treguan edhe njëherë se kanë besim”.

“Ne jemi në borxh me qytetarët. Ata na dhanë besimin ne duhet të jemi me ta”- ka thënë Basha në mbledhjen e grupit.

Sipas Bashes, vendi është në gjendje emergjente. “Jemi në gjendje emergjence kombëtare. Ky është hap nga pozitat e dominimit të forcës popullore”- tha Basha, duke shtuar se “Na takon ne të udhëheqim shqiptarët”.

Ndërkohë që gjithë deputetët demokratë me radhë që kanë marrë fjalën në mbledhjen e grupit kanë deklaruar domosdoshmërinë e kësaj vendimmarrjeje, duke votuar në fund pro djegies së mandateve.

Dje, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje nga selia e PD-së, se do t’i drejtohet Grupit Parlamentar dhe organeve më të larta për propozimin e tij për djegien e mandateve.

Pasi bëri një analizim të protestës së 16 shkurtit në Tiranë, kreu i PD-së theksoi se tubimi ia arriti qëllimit të tij dhe se pjesëmarrja ishte në nivelin e një referendumi kombëtar.

Basha u shpreh gjithashtu se qeveria e Edi Ramës është e kapur nga krimi dhe për këtë kërkoi një zgjidhje politike për krijimin e një qeverie tranzitore për zgjedhje të parakohshme ose në të kundërt, forca politike që ai drejton do të shkojë drejt një akti ekstrem, që nuk ka ndodhur ndonjëherë më parë, atë të djegies së mandateve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re