Nga Namir LAPARDHAJA*

Na është paraqitur nga ana e bashkisë Berat, projekt-buxhetin i vitit 2018 dhe angazhimet afatmesme për vitin 2018-2020, përgatitur nga Grupi për Menaxhim Strategjik pranë këtij institucioni.

Motoja dhe motivi kryesor i këtij materiali synon të jetë “Buxheti nuk është listë dëshirash, por një plan financiar që balancon burimet financiare të mundshme me nevojat më të domosdoshme e prioritare”.

Që në këtë synim të parë të paraqitur nga ju, unë do të thosha se “Buxheti juaj ka shumë “matematikë” brenda, por, kurrsesi, planifikim strategjik dhe prioritar”.

Po ju sjell vetëm një argument për çka po ju përmend: Drejtoria e Shërbimeve Publike, natyrshëm dhe me miratimin e kryetarit dhe me diskutimet e grupit që ka përgatitur këtë projekt-buxhet, na ka paraqitur një listë me rrugët që planifikohen për t’u ndërhyrë gjatë vitit 2018.

Janë rreth 25 propozime, prej të cilave 5 të tilla për qytetin e Beratit, 8 për Otllakun, 6 për Vlebishtin, 4 për Sinjën dhe 2 për Roshnikun.

E përkthyer në përqindje të shumës totale të këtyre investimeve, 36.3% zë Berati, 27.2% Otllaku, 17.9% Velabishti, 11.3% Sinja dhe 7.1% Roshniku.
Ndërkohë, në materialin tuaj thuhet se, në total, për vitin 2018, të ardhurat nga taksat dhe tarifat vendore të planifikuara janë në shumën 482,725,000 lekë.

Prej këtyre (po e përmend vetëm si përqindje, për të mos t’ju lodhur me shifra), Bashkia Berat planifikon të arkëtojë 82%, Roshniku 2%, Sinja 2%, Otllaku 7%, Velabishti 4% dhe 9% planifikohen të mblidhen nga agjentët tatimorë.

Zoti Kryetar dhe zotërinj anëtarë të këshillit bashkiak Berat, përse ky “diskriminim” ndaj qytetit të Beratit?!
Cili është raporti të ardhura-investime i Beratit krahasuar me njësitë e tij administrative dhe sa është ruajtur ky raport në projekt-buxhetin e vitit 2018?
A nuk është qëllimi i taksave, tarifave, të mbledhjes së të ardhurave për t’i përkthyer ato në investime? Përse gjithë ky zhbalancim midis të ardhurave dhe investimeve? A mos kemi matematikë dhe logjikë elektorale në këtë rast, por, kurrsesi, planifikim dhe investim të balancuar?

Në materialin që na keni paraqitur, ju thoni se “nga viti 2016 trashëgoni shumën prej 78 milionë lekësh”. Përse një gjë e tillë?! Ndërkohë që bashkia ka nevojë për investime dhe ndërhyrje, ju trashëgoni një shumë, që, duhet thënë se, është e konsiderueshme.

Ju thoni se “parashikimi i të ardhurave është bërë duke u bazuar në potencialin e nivelit të gjenerimit të të ardhurave, pa rritur asnjë nivel takse apo tarife dhe për vitin 2016 të ardhurat në total janë planifikuar në shumën prej 330 milionë lekësh, ose 35% kundrejt realizimit të 2015”, ndërsa më tej thoni se “në terma real rritja e fondit të investimeve nga të ardhurat e Bashkisë është 159.2 milionë lekë, krahasuar me vitin 2014”.

Në të dy këto konkluzionet tuaja ka disa të pavërteta.

Së pari, nuk është e vërtetë që nuk ka pasur rritje taksash dhe tarifash në vitin 2016. Ju së bashku me PS-në keni rritur disa taksa dhe tarifa, duke filluar nga ndriçimi, gjelbërimi, pastrimi, uji etj. taksa, si për familjarët, ashtu edhe për bizneset, gjë që do të reflektonte domosdoshmërisht në planifikimin e realizimit të mbledhjes së të ardhurave duke qenë se disa taksa të tilla janë të detyrueshme për t’u paguar së bashku me faturën e ujit të pijshëm.

Së dyti, ju e krahasoni fondin e investimeve nga të ardhurat e bashkisë aktuale Berat me vitin para reformës territoriale, ndërkohë që ky është ose lapsus metodologjik, ose i qëllimshëm, për të treguar rritjen e investimeve.

Gjykoj se është ky i dyti, ngase nuk është rasti i parë që krahasoni bashkinë e vjetër me atë të re, ndërsa nuk mund të ketë krahasim midis dy etniteteve të madhësive të ndryshme.

Ju keni hartuar një plan të ardhurash ambicioz, me rreth 12% më shumë se plani i vitit 2017, ndërkohë që në tabelën shpjeguese të këtyre të ardhurave, mes të tjerash, në kolonën Të ardhura të tjera (fq.24), pika 3 thotë “Të ardhura nga gjobat, kamatvonesat etj.”, ndërsa pika 6 thotë “Të tjera debitore dhe gjyqe”.

Pra, e thënë ndryshe, në planin tuaj ambicioz të të ardhurave të parashikuara për vitin 2018, ju përfshini edhe mbledhjen e të ardhurave nëpërmjet gjobave të konsumatorëve dhe të biznesit. Pse ky është synimi i Bashkisë?! Domethënë ju planifikoni se do të ketë domosdoshmërisht shkelës ligji dhe ju do t’i vilni të ardhurat nëpërmjet penaliteteve.

Të nderuar anëtarë të këshillit bashkiak!
Objektiva kryesore, sipas Bashkisë Berat, e këtij plan-buxheti për vitin 2018 është “maksimalizimi i të ardhurave nga Taksat dhe Tarifat vendore, duke rritur ndjeshëm ato nëpërmjet shtimit të bazës së taksapaguesve dhe jo nëpërmjet rritjes së nivelit të taksimit”.

Si objektiv i përcaktuar është i shkëlqyeshëm, edhe pse nuk thuhet se të gjitha taksat janë rritur më parë dhe nuk ka ku të venë më shumë.

Dua të përmend dy elemente mjaft të rëndësishëm këtu:

Së pari, ju si Bashki thoni nuk do të ketë rritje taksash, ndërkohë që për vitin 2018 qeveria shqiptare ka vendosur dy taksa të reja. E para, ajo e banesës, që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë tek qytetarët shqiptarë (përfshi edhe ata të Beratit) dhe, e dyta, ulja e fashës së TVSH-së do të ndikojë drejtpërdrejt tek biznesi i vogël, i cili, tashmë, do të jetë i detyruar të paguajë edhe ekonomist etj.

Ju si Bashki thoni që nuk do të rriten taksat, qeveria bën ndryshimin për taksën e pronës dhe për TVSH-në e biznesit. Pra, do të ketë apo nuk do të ketë rritje, sepse ndërkohë që qeveria rrit taksat, ju si pushtet lokal çfarë bëtë për t’i ulur dhe për të lehtësuar bizneset?!

Së dyti, ajo që duhet të bëjë Bashkia Berat, edhe pse nuk paraqitet në asnjë tabelë të këtij projekt-buxheti, është riklasifikimi i bizneseve dhe rishikimi i taksave dhe tarifave të tyre. Nuk mund të trajtohet njëlloj një Farmaci me një tregtar të vogël pakice. Është prishur struktura e klasifikimit të bizneseve dhe ka nevojë urgjente për riklasifikim të profesioneve të lira.

Këtu mund t’ju përmend vetëm se një profesion i lirë në Berat i paguan Bashkisë 26400 lekë në vit, ndërkohë që në Tiranë kjo shumë është 9150 lekë në vit. Një farmaci në bashkinë Berat duhet të paguajë 32840 lekë në vit, ndërsa në Tiranë 12400 lekë në vit. Po marrë vetëm këto dyja e po i krahasojë me kryeqytetin, për të parë se sa të larta janë këto taksa në Berat, gjë që i merr frymën biznesit. Kjo është një mënyrë që Bashkia Berat mund t’i vijë në ndihmë dhe t’i jap frymëmarrje biznesit në territorin e saj.

Në faqen 21 të projekt-buxhetit, nëpërmjet një tabele na keni paraqitur një informacion mbi realizimin e të ardhurave totale nga taksat dhe tarifat vendore, sipas viteve. Po vet arrini në përfundimin se “viti 2017 përbën vitin më të mirë të realizimit të të ardhurave në këto 4 vitet e fundit”, ndërkohë, edhe pse e pranoni se ndikim të konsiderueshëm ka edhe përfshirja e njësive administrative, nga ana tjetër, një gjë të tillë nuk e reflektoni as në pasqyrën Nr. 1, as në grafikun e mëposhtëm, çka duket sikur ka rritje, ndërkohë në të vërtetë aty mungon krahasimi me komunat e mëparshme dhe sa është realisht ky ndikim, sepse nuk mund të krahasohen vitet 2008 deri në 2015 (që ka qenë ndarja e vjetër territoriale) me 2015 e në vazhdim (me ndarrjen e re territoriale).

Në po të njëjtën faqe në tabelën e realizimit të të ardhurave të vitit 2017 sipas grupeve kryesore, Të ardhura nga Drejtoria Ekonomike e Arsimit janë realizuar në masën 92%. Përse ky përqindje, ndërkohë që në konvikt/kopësht/çerdhe çdo nxënës paguan?

Si kryetar i komisionit të arsimit në këtë këshill, mund t’ju them se për vitin 2018, ashtu si në atë 2017, keni parashikuar 0 lekë për lëndë djegëse (dru +gaz) për shkollat e bashkisë Berat (Tabela fq. 109), ndërkohë që dimri është para dhe është i paparashikueshëm; keni ulur shumën e mirëmbajtjes së objekteve për arsimin parashkollor (Tabela fq. 111), ndërkohë që prindërit e fëmijëve investojnë vet për rregullim të ambienteve/ lyerje dhe ndërhyrje të tjera, edhe pse është detyrë e drejtpërdrejtë e pushtetit lokal; keni ulur shpenzimet për mirëmbajtje të zakonshme për çerdhet (Tabela fq. 111); ashtu siç keni ulur buxhetin për konviktet e arsimit të mesëm dhe shërbimet mbështetëse të këtij arsimi (Tabela fq. 113).

Po ashtu, me ulje keni paraqitur edhe buxhetin për qendrën kulturore “Margarita Tutulani” (Tabela faqe 115).

Të nderuar këshilltarë!
Ajo që vë re dhe që ngre dyshime e pikëpyetje të mëdha, është se “tarifa e pastrimit planifikohet të rritet në 76,441 për vitin 2018, 78,734 për vitin 2019 dhe 81,096 për vitin 2020”.

Përse gjithë kjo rritje, ndërkohë që në vitin 2017, së bashku edhe me shtrirjen në njësitë administrative të Bashkisë së re të Beratit, arriti të barazohet kostoja me tarifën? Aktualisht Bashkia Berat shpenzon për pastrimin 65000 në vit.

Si përfundim, që edhe të mos zgjatem më shumë, do të jepja disa propozime konkrete: prioriteti më i madh i investimeve të kësaj bashkie duhet të ngelet unaza e qytetit të Beratit.
Ju e keni përmendur vetëm me një gjysmë fjalie. Unë e kuptoj që Bashkia nuk ka aq lekë sa për të bërë një gjë të tillë, mirëpo Bashkia duhe të bëjë diçka konkretisht. Të planifikojë investim për hartimin e një projekti, të lobojë pranë qeverisë dhe pranë donatorëve të huaj, qoftë edhe për bashkinvestim. Është i vetmi projekt i madh që i vjen në ndihmë dhe e ndryshon realisht mënyrën e konceptuarit të jetesës së këtij qyteti. Gjithashtu, është invesitmi që nxjerr nga kaosi i madh trafikun në qytet, shmang futjen në zonat muzeale të mjeteve të tonazheve të rënda, redukton ndotjen etj.

Së dyti, Bashkia Berat duhet të ulë taksat për biznesin, si një mundësi frymëmarrjeje dhe lehtësi të barrës, që synon t’i shtohet edhe nga ulja e fashës së TVSH-së.
Nuk pashë asgjë konkrete nga bashkia për t’i ardhur në ndihmë dhe për të mbështetur, nëpërmjet reduktimit ose uljes së taksave (ose nëpërmjet mënyrave të tjera alternative) bizneseve që operojnë në hoteleri-turizëm, ndërkohë që ky sektor është e ardhmja e ekoomisë së qytetit të Beratit.

Së treti, këtij buxheti i mungon një strategji e mirëmenduar dhe një investim serioz dhe konkret për mbarojtjen e qytetit nga lumi dhe përmbytjet e përvitshme (parashikim jo tek emergjencat civile, por më vete). Të gjithë ishim dëshmitarë për dëmet që shkaktoi lumi vetëm pak javë më parë në bizneset e pedonales dhe në shtëpitë buzë lumit të komunitetit rom etj. Ky investim duhet të jetë prioritar dhe i mirëmenduar si i vetmi shpëtim i qytetit nga rrezikshmëria e përvitshme e lumit.

Së katërti, Bashkia Berat duhet të qartësojë dhe të angazhohet për ta marrë ajo nën administrim, nëse nuk e ka, pastrimin e Kalasë së qytetit të Beratit, si pika më e rëndësishme e turizmit në qytet dhe përballja e parë e turistit me Beratin.

Së pesti, do të ngrija edhe një herë shqetësimin për ndëryrje në dy pika mjaft të rëndësishme për këmbësorët në qytetin e Beratit: tek 6-katshi, përballë me “Ypsilonin” e gjithë ajo hapësirë aty, nuk ka asnjë vijëzim apo elemente të tjera orientuese dhe drejtuese (nuk kam për qëllim vijat e bardha që kalohet rruga nga këmbësorët, ngase ato ekzistojnë), qoftë për makinat, qoftë për këmbësorët. Është hapësirë e madhe dhe e gjerë dhe njerëzit që kalojnë aty janë të ekpozuar përballë rrezikut shumë të madh të makinave që vijnë nga hyrja e qytetit me shpejtësi të madhe ose nga e kundërta. Gjithashtu, dua të përmend edhe një herë domosdoshmërinë për ndërhyrje në atë “ishullin e vogël” në kombinat, përballë hotel “White Grande City”, që shpeshherë është bërë burim aksidentesh dhe dëmtimesh të rënda për këmbësorët.

Në përfundim të fjalës time, doja të shprehja edhe një herë gatishmërinë tonë (ashtu siç kemi qenë dhe kemi vepruar përherë) për të krijuar një raport të ri në këtë këshill, larg politikës konfiktuale të ditës, ku në qendër të kësaj marrëdhënieje të jetë angazhimi i Bashkisë për të reflektuar ndaj sugjerimeve dhe shqetësimeve tona, dhe, nga ana tjetër, gatishmëria jonë se e mira e qytetit dhe e qytetarëve është mbi gjithçka, larg interesave të ngushta, përfitimeve politike, apo pazareve misikine, aq të shpeshta, të rëndomta dhe banale në realitetin tonë të përditshëm

*Fjala në këshillin bashkiak Berat për projekt-buxhetin e vitit 2018

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re