Zv kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Etilda Gjonaj ka përshëndetur raportin e Komisionit Europian lidhur me progresin e bërë nga Shqipëria në lidhje me kushtet e vendosura.
Në fjalën e saj, deputetja socialiste tha se duhet të ndihemi krenar që Shqipëria ka realizuar reforma të qëndrueshme dhe të prekshme vecanërisht në lidhje me zbatimin e një prej prioriteteve kryesore, reformën në drejtësi, duke evidentuar progresin në plotësimin e kuorumit të Gjykatës kushtetuese në dhjetor 2020, plotësimin e anëtarëve të Gjykatës së lartë si dhe rezultatet e vettingut në sistemin e drejtësisë.
Ndër të tjera ish ministrja e Drejtësisë shprehet:
“Më lejoni të shpreh në rradhë të parë mirënjohjen ndaj Komisionit Evropian për vlerësimin e progresit të Shqipërisë në lidhje me kushtet e vendosura nga Këshilli në 25 mars të 2020. Unë besoj që të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndonëse kemi ende sfida të cilat duhet të adresojmë,
ky është një ndër progres raportet më të mirë nga Komisioni Evropian, përsa i përket njohjes së rezultateve të arritura në kuadër të reformave që janë ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare.
Ashtu sic u përmënd këtu por edhe nga Komisioneri Varhelyi në konferencën e djeshme mbi Paketën e zgjerimit 2021, është e qartë se Shqipëria ka përmbushur kushtet dhe Konferenca e parë Ndërqeveritare duhet të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur.
Duhet të ndihemi krenar që Shqipëria ka realizuar reforma të qëndrueshme dhe të prekshme vecanërisht në lidhje me zbatimin e një prej prioriteteve kryesore, reformën në drejtësi, duke evidentuar progresin e prekshëm në plotësimin e kuorumit të Gjykatës kushtetuese në dhjetor 2020, plotësimin e anëtarëve të Gjykatës së lartë si dhe rezultatet e vettingut në sistemin e drejtësisë.
Më duhet të theksoj se reforma në drejtësi nuk ka qënë një reformë e lehtë dhe se përtej sfidave në arritjen e zbatimit të saj, vitet e fundit u shoqërua edhe me përballjen me sfidat e ardhura si pasojë e tërmetit 2019 dhe pandemisë Covid19, e pavarësisht këtyre sfidave asnjëherë nuk u tërhoqëm për ta cuar reformën në drejtësi përpara dhe për të përmirësuar eficencën e saj me paketën ligjore përkatëse në 2021. Reforma në drejtësi mbetet ndër reformat më të rëndësishme dhe më të thella të ndërmarra në sistemin e drejtësisë në 30 vitet e fundit.
Ndonëse ka ende rrugë për të bërë për të arritur një sistem drejtësie eficent, rezultatet pozitive te njohura edhe nga Komisioni Evropian sot, i takojnë jo vetëm Qeverisë Shqiptare dhe Kuvendit, por të gjitha institucioneve të drejtësisë, partnerëve ndërkombëtarë, BE dhe SHBA si dhe asistencës teknike të dhënë prejt tyre nëpërmjet misioneve EURALIUS dhe OPDAT, të cilët gjej rastin ti falenderoj dhe ti shpreh mirënjohjen.
Edhe në fazën e re të konsolidimit të rezultateve të saj, reforma në drejtësi mbetet prioritet i yni. Ne kemi shprehur jo vetëm vullnetin por të gjithë angazhimin për ta zbatuar dhe konsoliduar reformën në drejtësi deri në fund, për të arritur rezultate ndjeshmërisht të prekshme duke përmbushur edhe detyrimin ndaj pritshmërive të qytetarëve dhe partnerëve tanë.
Si rrjedhim ndihem mirë vecanërisht për vlerësimin e progres raportit në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Padyshim korrupsioni është një plagë endemike e shoqërisë tonë, por jo vetëm pasi të gjitha shtetet përballen me këtë luftë, prandaj njohja e fuqizimit të luftës kundër korrupsionit nga Komisioni Evropian përbën një arritje. Në raport janë shprehur vlerësime pozitive në lidhje me zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale Kundër Korrupsionit 2015-2020, në lidhje me miratimin dhe ngritjen e kapaciteve dhe mekanizmave të rinj si rrjeti i koordinatorëve kundër korrupsionit dhe drejtorisë së dedikuar antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Vetingu në sistemin gjyqësor ka vazhduar të sjellë rezultate të matshme; Vecanerisht ngritja dhe plotësimi i Strukturës së Posacme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokurorisë së Posaçme dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit janë duke dhënë rezulatet e para të drejtësisë së re dhe në luftën kundër korrupsionit.
U ndala pikërisht në këto pika, jo vetëm sepse i konsideroj padyshim si rezultate pozitive në sektorin që kam patur nderin të shërbej në katër vitet e fundit, por edhe për faktin që dëshiroj të theksoj se janë rezultate që i përkasin një ekipi të tërë, të cilëve i jam mirënjohëse për punën dhe dedikimin e tyre, pasi na kanë cuar shumë hapa përpara në forcimin e shtetit të së drejtës dhe në rrugën e integrimit.
Rezultatet e këtij progress raporti, sikurse vlerësoj qartë dje Komisioneri Varheliy, si dhe Ambasdorit Soreca sot, nuk janë vetëm rezultate të kësaj maxhorance dhe të kësaj qeverie, por janë rezultate të arritura nga Shqipëria.
Njohja dhe vlerësimi i progresit duhet të na motivojë dhe të na mbushi edhe me më shumë
përgjegjësi për të avancuar reformat e ndërmarra, duke forcuar shtetin e së drejtës dhe njëkohësisht konsoliduar demokracinë e vendit tonë. Eshtë e domosdoshme të vijojmë të punojmë forte për integrimin ne BE, procesi është i drejtë pavarësisht vendimarrjes.
Në fakt, sikurse u shpreh Komisioneri Varhelyi, vonesa në hapjen zyrtare të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka pasur një ndikim negativ në besueshmërinë e BE –së.
Gjithsesi vendimarrjet politike nga liderët e BE-së në tryezat e nivelit të lartë dhe vetos politike që përdoret shpeshherë në vendimmarrje të tilla, nuk duhet të na dekurajoj, përkundrazi duhet të na nxisë të zhvillojmë një dialog politik të shëndetshëm ndërpartiak.
Progres raporti tregon se ne jemi në rrugën e duhur, ne meritojmë një datë konkrete për Konferencën Ndërqeveritare, sepse kemi dhënë rezultatet. Tani duhet të tregojmë unitet në politikat lidhur me procesin e Integrimit. Ne duhet të kemi një zë, një gjuhë për një qëllim të përbashkët, bashkimin me familjen europiane.
Gjeografia dhe kultura na bën një pjesë të pandashme të Europës, por vetëm të gjithë së bashku mund të ruajmë optimizmin dhe besimin e shqiptarëve në procesin e integrimit.
Së bashku mund të jemi edhe një zë më i fortë për të inkurajuar një vendimarrje pozitive për zgjerimin të vendeve anëtare të BE-së. Për më tej, miratimi i kuadrit negociator do të na japi mundësinë si Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të fillojmë bisedimet teknike me vendet anëtare dhe ne paraprakisht duhet të bashkëpunojmë për ngritjen e kapaciteteve të stafeve teknike, pasi me rregullat e ndryshuara të programit të zgjerimit për përfitimin e fondeve IPA III 2021-2027, do të përballemi me sfidën e konkurrencës gjithmonë e më shumë, cka mund ta përballojmë vetëm bashkërisht duke rritur kapacitetet në vend.
Është koha të bëhemi bashkë në forcimin e reformave thelbësore për drejtësinë, ekonominë, liritë themelore të njeriut, duke forcuar njëkohësisht profesionalizmin e burimeve njerëzore dhe fuqizuar institucione demokratike, pasi sfidat që na presin në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian janë të mëdha dhe janë të përbashkëta, pasi janë sfidat e Shqipërisë.
Më lejoni në fund të adresoj falenderimet e mia për Ambasadorët e vendeve të BE-së, së dhe vecanërisht Ambasadorit Soreca për mbështetjen e vazhdueshme në rugëtimin tonë të anëtarësimit evropian.
Faleminderit!
