Deputetët që bojkotuan Këshillin Kombëtar kanë njoftuar lëvizjen e radhës, duke bërë me dije përmes një deklarate, se do kontaktojnë individualisht secilin anëtar legjitim të Këshillit.

 

Ata shprehet se mbledhja e sotme e Këshillit nuk rezulton legjitime, pasi nuk kishte kuorumin e mjaftueshëm, dhe se reagimi i tyre vjen për të mbrojtur PD.

 

Deputetët që bojkotuan mbledhjen e Këshillit Kombëtar janë Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Bledion Nallbati, Dashnor Sula, Helidon Bushati, Xhelal Mziu, Saimir Korreshi.

 

Deklarata:

 

Ne, deputetët, anëtarët e Kryesisë dhe anëtarët e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, me shqetësim kemi ndjekur aktet e njëanshme të ndjekura nga një pjesë e Kryesisë së Partisë, të cilat kanë kulmuar sot me një falsitet antistatutor, duke konsideruar një takim pakuorum, si mbledhje të Këshillit Kombëtar të PD.

 

Pasi kemi marrë kopje të anëtarësisë së Këshillit Kombëtar të PD të depozituar dhe regjistruar në Zyrën e Regjistrit të Partive Politike pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe konfirmimin zyrtar të organeve përgjegjëse statutore, konstatojmë se Këshilli Kombëtar i PD ka aktualisht në detyrë 453 anëtarë nga 478 anëtarë gjithsej të dalë nga Kuvendi Kombëtar i PD datë 17 Korrik 2022.

 

Me përgjegjësinë për të mbrojtur interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, konstatojmë se sot nuk ka patur një mbledhje legjitime të Këshillit Kombëtar të PD. Duke e konsideruar antistatutor rezultatin e takimit të sotëm, për të shmangur një tjetër ngërç në PD, për të ndalur përçarjen e mëtejshme të Partisë Demokratike, si dhe për të garantuar forcimin e Partisë Demokratike, deklarojmë se:

 

Duke nisur nga sot do të ndërmarrim iniciativën për të kontaktuar individualisht dhe vlerësuar vullnetin e secilit anëtar legjitim të Këshillit Kombëtar mbi situatën në Partinë Demokratike dhe do të vazhdojmë përpjekjet për forcimin e Partisë Demokratike, të bindur se aktet përçarëse, përjashtimet, njëanshmëria dhe nxitimi, nuk ndihmon në ringritjen e PD.

 

DEPUTETËT DHE ANËTARËT E KËSHILLIT KOMBËTAR:

 

LEFTER GËSHTENJA

RAMADAN LIKAJ

BLEDION NALLBATI

DASHNOR SULA

HELIDON BUSHATI

XHELAL MZIU

SAIMIR KORRESHI

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re