Demokratët dhe socialistët janë ulur së bashku për të negociuar një ndarje të re territoriale të vendit.

 

Por pozicionet e tyre në nisje të kësaj reforme janë diametralisht të kundërta; demokratët prej vitesh kanë konsoliduar kërkesën për një numër më të madh bashkish dhe kërkesën për të rikthyer komunat; ndërkohë që mazhoranca mbështet ndarjen aktuale në 61 bashki, duke lënë të hapur idenë për një numër më të reduktuar.

 

ANILA DENAJ

BASHKEKRYETARE E KOMISIONIT TE REFORMES

 

“Reforma e vitit 2014 ka ndikuar në rritjen e eficencës së njësive vendore, por ndryshimet kanë nevojë për t’u diskutuar.”

 

DHURATA ÇUPI

BASHKEKRYETARE E KOMISIONIT TE REFORMES

 

“Në gjykimin tim është një reformë e dështuar dhe duhet t’i rikthehemi në themel.”

 

Vizioni krejt i ndryshëm që të dy palët kanë për ndarjen territoriale të vendit është një prej pengesave në reformën territoriale.

 

Pengesa tjetër është mungesa e kohës, pasi Komisionit i përfundon mandati në fillim të muajit gusht dhe palët kanë vetëm pak javë kohë për të gjetur kompromisin që nuk e gjetën në vitin 2014, kur opozita e bojkotoi këtë reformë.

 

Përtej kësaj, Partia Demokratike ulet e përçarë në tryezën e negociatave me mazhorancën; pasi në komisionin e reformës territoriale nuk janë përfshirë as deputetët që mbështesin Sali Berishën dhe as deputetët që kanë vendosur të mos rreshtohen as në krahun e Berishës dhe as në krahun e Enkelejd Alibeaj.

 

Në këtë situatë duket e vështirë që në zgjedhjet e ardhshme lokale të kemi një ndarje të re territoriale të pranuar nga të gjitha palët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re