Ish-deputeti Halit Valteri ka qenë i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “7pa5” në Vizion Plus, ku ka folur për mbledhjen e qeverisë dhe situatën politike në vend.

Ai tha se nga kjo mbledhje u kuptua se ekonomia po ecën, pasi ka investime për të bërë.

“Nuk do ta quaja mbledhje qeverie, një “retreat” të qeverisë. Është pak si çlodhje, punë, argëtim. Projektet janë shpresëdhënëse, kur flasim për hekurudhën që do të lidhë me pjesën tjetër të kombit tonë. Ekonomia po ecën, sa kohë ke projekte për të investuar, për të ecur përpara”, tha Valteri.

Ai foli gjithashtu për deklaratat e Ramës, i cili i mbylli derën një bashkëpunimi me opozitën.

“Sa i përket opozitës dhe mbylljes së derës së opozitës është një gjë që ai e ka bërë që prej fillimit të kësaj legjislature e ka shprehur që nga parlamenti dhe nga konferencat për shtyp, ne me non gratat nuk bashkëpunojmë. Dhe pjesën tjetër të opozitës, të gjithë të tjerët besoj do të jenë të mirëpritur nga qeveria për të bërë reforma”, tha Valteri, teksa bëri një koment edhe për Lulzim Bashën.

“Në fakt ne po i prishim prapë gjumin duke e përmendur, se mund ta zërë lemza atë. Lulzim Basha ka pasur shanset më të arta për të qenë kryeministërt dhe i ka shpenzuar duke bërë marrëveshje nën tavolinë me Ramën dhe me oligarkë.

Nuk është Lulzim Basha opozita. Mund të jeni ju, të jem unë, gjithkush mund të jetë, por vetëm Lulzim Basha jo. Sot që flasim nga PD i ka mbetur vetëm një vulë”, tha deputeti.

Valteri foli edhe për arrestin e shtëpisë ndaj Sali Berishës dhe tha se politikanët e korruptuar janë sëmundja e keqe e Shqipërisë.

Deputeti shtoi gjithashtu se edhe Rama nuk është i paprekshëm nga drejtësia, nëse jo tani, kur të mos jetë më kryeministër.

“Rama pikë së pari duhet t’i tërheqë veshin vetes sepse ata që ka te rrethi i ka zgjedhur vetën dhe smund të dalësh nesër të thuash ky hëngri dardha mbas meje.

Me këtë standard që ka ngritur SPAK, qoftë me akuzën që është ngritur ndaj Berishës, unë nuk e shikoj Ramën të paprekshëm, qoftë me inceneratorët, qoftë me sterilizimin, është çëhstje kohe. Ndoshta nuk preket kryeministër, por kur të mos jetë më kryeministër nuk është i paprekshëm”, tha Valteri.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re