Nga Enkelejda Mema 

Me fat të papërcaktuar ende nga politika, diskutimet për ndryshime në kodin elektoral u zhvendosën nga tryeza e komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore në atë të ODIHR.

Larg kuvendit nga i cili është paralajmëruar dështimi i “Zgjedhores”, poshtë zyrave të OSBE-së, tetë ekspertët ata, politik dhe jo, u ulën me ata të ODIHR për të diskutuar propozimet e dy bashkëkryetarëve, socialistit Damian Gjiknuri dhe demokratit Enkelejd Alibeaj.

Deri të enjten e 14 marsit në këtë tryezë me dyer të mbyllura do të diskutohen tetë çështje. Më të debatuarat dhe që janë nënvizuar me të kuqe janë, sistemi elektoral dhe vota e disporës.

E para përfshin hapjen e plotë apo të pjesshme të listave të kandidatëve për deputetë. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, politikës i duhet të vendosë nëse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ligjvënësit e rinj do të zgjidhen me votë të drejpërdrejt apo fati i tyre do të varet nga lista e kryetarit dhe vetëm ata që thyejën herësin prej 10 mijë votash mund të ulen në karrigen e deputetit.

Për këtë çështje Partia Socialiste ende nuk ka një vendimarrje, ndërsa Partia Demokratike me kryetar Lulzim Bashën kërkon lista të hapura 100 për qind.

Po aq nga kjo tryezë kërkohet një zgjidhje për votimin nga jashtë. “Kushtetuesja” e detyron politikën që ta mundësojë atë në zgjedhjet e ardhshme, por ajo është e ndarë se kush duhet të përgatisë bazën ligjore, Kuvendi apo Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që më pas të përcaktohen edhe mënyra e rregjistrimit, e votimit dhe llogaritja e votës.

Çështje të tjera për tu diskutuar me ekspertët e ODIHR janë edhe shtrirja e votimit elektronik, financimi i partive apo depolitizimi i administratës zgjedhore. Do t’i mbetet diskutimeve dy ditore nëse në nivel ekspertësh arrihet në një projekt-draft që më pas të diskutohet e votohet në komisionin e reformës zgjedhore që i kanë mbetuar edhe një javë nga përfundimi i afatit./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re