Skip to content

Mblidhet grupi parlamentar i PD-së, pritet të diskutohet për riorganizimin e partisë

Grupi parlamentar i PD-së pritet që të mblidhet sot pas seancës së Kuvendit. Aktualisht, deputetët po ndjekin zhvillimet e rendit të ditës dhe më pas po në godinën e parlamentit do të zhvillohet mbledhja e thirrur nga Gazment Bardhi për të diskutuar mbi situatën politike në vend por edhe vetë PD.

Gazetarja Erneta Shevroja raporton se deputetët do të shpalosin propozime të caktuara sa i përket riorganizimit të partisë si edhe zgjedhjes së kreut të ri. Deri më tani, siç raportoi gazetarja, thuhet se Lulzim Basha është një ndër emrat që do të kandidojë për të rimarrë sërish drejtimin e partisë.

“PD ka përpara vendime të rëndësishme për t’u marrë dhe pritet të shikohet se si do të shkojë. Pritet që prej deputetëve të ketë propozime të caktuara sa i përket riorganizimit të PD, zgjedhjes së kryetarit të ri, koha kur do të futet PD në proces zgjedhor dhe më pas propozimet të kalojnë nesër në mbledhjen e kryesisë së PD-së. Zhvillohet në kuadrin e një rezultati të dobët për PD në 14 maj dhe të rikthimit të mundshëm të Lulzim Bashës, që mendohet se do të jetë një nga kandidatët për të rimarrë drejtimin e PD.“, tha gazetarja.