Takimi i orëve të vona ndërmjet liderëve të koalicionit të Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës dhe Aleancës Kosova e Re me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe pakicave tjera, ka rezultuar me marrëveshje për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit, të enjten më 7 shtator.
 
Pas shumë orë negociata, ky grupim i partive politike i ka drejtuar kërkesë udhëheqësit të seancës konstituive, deputetit Adem Mikullovci, për vazhdimin e seancës së nisur që nga 3 gushti, shkruan Europa e Lirë. Kërkesa është pranuar dhe në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës është konfirmuar se seanca do të zhvillohet në ora 11:00.
 
Pritet që në këtë seancë të zgjidhet kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe nënkryetarët e këtij institucioni.
 
Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, pason periudha prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re.
 
Gjatë ditës, ishin kushtet e Listës Serbe ato që e kishin vënë në pikëpyetje këtë seancë. Por, pas vazhdimit të negociatave, dukej se gjithçka ishte harmonizuar.
 
Lista Serbe është e gatshme që të jetë partner konstruktiv në institucionet e ardhshme të Kosovës dhe të punojë për përparimin e pozitës së të gjithë qytetarëve, e në veçanti të serbëve në hapësirën e Kosovës, thonë zyrtarët e Listës Serbe.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re