Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë ka shfuqizuar vendimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje e pagave.

Me këtë vendim shefi i ri i qeverisë i ka ulur pagën vetes, ministrave, zëvendësministrave dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë.

Ndërkohë ende nuk dihet sesa do të jetë ulja e pagave. Mediat vendase shkruajnë se me këtë nuk preken pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Gjithashtu është marrë vendim që zyrtarët që e kanë përfunduar mandatin të mos vazhdojnë të marrin përfitime.

Ramush Haradinaj e mori vendimin për rritjen e pagave në fund të vitit 2017, ku vendosi që t’ia bënte vetes pagën mujore nga 1.500 euro, në një pagë bruto 2.950 euro në muaj.

Më 1 shkurt Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës arritën në një marrëveshje për krijimin e qeverisë së re, e cila u miratua në Kuvend një ditë më pas.

Kurti një ditë më parë zhvilloi vizitën e parë zyrtare në Shqipëri si kryeministër i Kosovës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re