Skip to content

Mblidhet sot Konferenca e Ambasadorëve “Diplo 2024”! Diskutim 3-ditor mbi sfidat e diplomacisë shqiptare për integrimin

Sot në Pallatin e Kongreseve do të nisë punimet treditore Konferenca e Ambasadorëve, cila mbledh ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm të Shqipërisë. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do të organizojë nga 26-28 gusht Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”.

Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, lajmëroi dje se për tri ditë me radhë do të diskutojnë mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin.

“Me ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë mblidhemi nesër në Tiranë, në një diskutim treditor, mbi sfidat e diplomacisë shqiptare në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, zhvillimet rajonale dhe të sigurisë, diplomacinë ekonomike, kulturore dhe turizmin. Bashkohuni me ne për të mësuar më shumë rreth angazhimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare!”, – shprehet ministri i Jashtëm, Igli Hasani.

Konferenca do të organizohet në ambientet e Pallatit të Kongreseve. Në konferencë përveç ambasadorëve dhe krerëve të posteve konsullore, do të jenë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj. Konferenca e Ambasadorëve është një takim i rëndësishëm i Shërbimit të Jashtëm shqiptar, i cili do të ofrojë një mundësi për të paraqitur prioritetet që do të orientojnë punën e misioneve diplomatike dhe posteve konsullore të RSH në botë.

Konferenca treditore do të nisë paraditen e sotme në orën 09:30, ku do të marrë pjesë Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama. Ceremonia e hapjes dhe paneli “Rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE”, me pjesëmarrjen e ministrit Hasani dhe Tanja Fajon, zv.kryeministre dhe ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë do të jetë e hapur për median.

Sipas axhendës, në orën 09:30 bëhet hapja e Konferencës së Ambasadorëve me praninë e Igli Hasani, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme i Republikës së Shqipërisë. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

Në orën 10:30 – 11:15 rrugëtimi dhe dinamikat e procesit të integrimit në BE. Folës kryesorë janë Igli Hasani, ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Tanja Fajon, zv.kryeministre dhe ministre për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane e Republikës së Sllovenisë. Ora 12:00 – ministri Hasani do të presë në një takim dypalësh në MEPJ, zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të zhvillojë vizitë zyrtare në Tiranë. Pas takimit, dy ministrat do të dalin në një deklaratë të përbashkët për mediat.

“”