Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimit Evropian (BE) kanë rënë dakord për Protokollin e Irlandës së Veriut, duke arritur në marrëveshjet tregtare post-Brexit pas më shumë se një vit kundërshtimesh nga të dyja palët.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak, në një konferencë të përbashkët për media në Berkshire të Anglisë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se me kënaqësi raporton se tani është bërë një “përparim vendimtar”.

“Ne kemi ndryshuar protokollin origjinal dhe sot po njoftojmë kornizën e re ‘Windsor’. Negociatat nuk kanë qenë gjithmonë të lehta, por do të doja t’i kushtoj një nderim të pamasë personal Ursula-s për vizionin e saj në njohjen e mundësisë së një rruge të re përpara”, tha kryeministri britanik.

Ai tha se sipas marrëveshjes së re, rregullat e BE-së do të vazhdojnë të kenë rol në Irlandën e Veriut, duke shpjeguar se “kjo është pasojë e qëndrimit të saj në tregun e vetëm”.

“Marrëveshja e sotme mbron sovranitetin për popullin e Irlandës së Veriut. I vetmi ligj i BE-së që zbatohet në Irlandën e Veriut sipas kornizës është minimumi i nevojshëm për të shmangur një kontroll kufitar me Irlandën dhe për të lejuar bizneset e Irlandës së Veriut të vazhdojnë të hyjnë në tregun e BE-së. Por unë e di se shumë njerëz në Irlandën e Veriut janë të shqetësuar për t’iu nënshtruar ndryshimeve në ligjet e BE-së për mallrat”, tha Sunak.

Nga ana tjetër, von der Leyen përshëndeti rezultatet e negociatave si “të jashtëzakonshme”, duke falënderuar ekipet e përfshira në negociata.

“Për çështjet rreth protokollit për Irlandën e Veriut, ne e dinim se nuk do të ishte e lehtë. Ne e dinim se duhej të dëgjojmë shqetësimet e njëri-tjetrit me shumë kujdes. Ne të dy ishin sinqerisht të përkushtuar për të gjetur një zgjidhje praktike për njerëzit dhe për të gjitha komunitetet në Irlandën e Veriut”, tha von der Leyen.

“Sot, ne mund të krenohemi me faktin që kemi përmbushur atë angazhim”, shtoi ajo.

Protokolli i Irlandës së Veriut

Protokolli i Irlandës së Veriut kërkon kontrollore kufitare për çdo produkt me bazë shtazore dhe bimore, përfshirë mishin e ngrirë dhe produktet e mishit të përpunuar, para transportit të tyre në Irlandën e Veriut, masë që është në përputhje me rregullat dhe rregulloret e BE-së.

Protokolli krijon një kufi tregtar ‘de fakto’ në Detin Irlandez midis Irlandës së Veriut dhe pjesës tjetër të Mbretërisë së Bashkuar.

Mbretëria e Bashkuar u largua nga BE-ja më 31 janar të vitit 2016 si rezultat i referendumit të Brexit-it që i dha fund anëtarësimit 40-vjeçar të vendit në bllokun evropian.

Marrëveshja e nënshkruar nga palët përfshinte protokollin që në praktikë mënjanonte kontrolle kufitare midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës.

Protokolli ka qenë një pikë grindjeje mes palëve.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re