Mbretëria e Bashkuar njoftoi pako të re sanksionesh tregtare me vlerë 1,7 miliard sterlina (2,09 miliardë dollarë) që shënjestron Rusinë dhe Bjellorusinë.
Në një deklaratë të qeverisë britanike thuhet se masa ishte “projektuar për të dobësuar më tej makinerinë luftarake të (presidentit rus Vladimir) Putin”, duke e çuar vlerën totale të produkteve nën sanksione që kur filloi “pushtimi i paligjshëm i Ukrainës” nga Rusia në më shumë se 4 miliardë sterlina (4,9 miliardë dollarë).
Sanksionet e reja të shpallura përfshijnë tarifa të importit dhe ndalimet e eksportit.
“Tarifat e reja të importit do të përfshijnë mallra me vlerë 1,4 miliard sterlina, duke përfshirë platinin dhe paladiumin, duke penguar aftësinë e Putinit për të financuar përpjekjet e tij të luftës”, thuhet në deklaratë.
“Rusia është një nga vendet kryesore prodhuese të platinit dhe paladiumit dhe është shumë e varur nga Britania e Madhe për eksportet e produkteve të platinit dhe paladiumit”, shtohet në deklaratë.
Ndalimet e eksportit do të synojnë “mallrash në vlerë prej më shumë se 250 milionë sterlina në sektorët e ekonomisë ruse që varen më shumë nga mallrat e Mbretërisë së Bashkuar, duke shënjestruar materialet kryesore si kimikatet, plastika, goma dhe makineritë”.
“Ne jemi të vendosur të bëjmë çmos për të penguar synimet e Putinit në Ukrainë dhe për të minuar pushtimin e tij të paligjshëm, i cili ka dëshmuar akte barbare të kryera kundër popullit ukrainas”, tha Sekretarja e Shtetit për Tregtinë Ndërkombëtare, Anne-Marie Trevelyan.
“Kjo paketë e gjerë sanksionesh do të shkaktojë dëme të mëtejshme në makinerinë ruse të luftës. Është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të koordinuar nga shumë vende në mbarë botën, të cilët janë të tmerruar nga sjellja e Rusisë dhe janë të vendosur për të vënë në jetë fuqinë tonë ekonomike për të bindur Putinin të ndryshojë kursin”, shtoi ajo.
Kancelari i Thesarit, Rishi Sunak, kujtoi se kjo është vala e tretë e sanksioneve tregtare të shpallura nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.
“Duke përjashtuar arin dhe energjinë, kjo do të sjellë përqindjen e importeve të mallrave nga Rusia të goditura nga kufizimet në më shumë se 96 për qind, me më shumë se 60% e eksporteve të mallrave në Rusi nën kufizime të plota ose të pjesshme, duke kontribuar efektivisht në dobësimin e makinerisë së luftës së Putinit”, tha ai.
Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 3.309 civilë janë vrarë dhe 3.493 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia filloi luftën më 24 shkurt. Shifra e vërtetë dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 5,8 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, ndërsa rreth 7,7 milionë janë zhvendosur brenda vendit.
Burimi: AA